Miço Papadhopulli, një nga figurat më të spikatura në futbollin dhe sportin shqiptar ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
Ai ishte ish-futbollist i Partizanit, trajner dhe pedagog i Institutit të Fiskulturës, mbante titullin Prof.Doktor.
Papadhopulli ka qenë Presidenti i FSHF gjatë viteve 1997-2002 dhe prej vitit 2002 President Nderi i FSHF.
Ai ka qenë një ndëër futbollistët më të mirë të viteve 1950-1960 dhe shumica e njohin si “Daja”.
Fitoi plot 6 tituj kampion me skuadrën e Partizanit, duke fituar të gjithë zemrën e tifozëve.
I gjithë komuniteti e njeh si njeri të qeshur dhe shumë human.
“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka.
Homazhet në nder të Presidentit të Nderit të FSHF, do të zhvillohen tek Muzeu Kombëtar, ditën e sotme nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Komente











