Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim Ambasadoren e re të Zvicrës në Shqipëri, Siri Walt, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale

Presidenti Begaj i përcolli Ambasadores Walt urimet më të mira për fillimin e detyrës së saj në Shqipëri dhe shprehu besimin se mandati i saj do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore Shqipëri – Zvicër, të mbështetura në vlera të përbashkëta evropiane, dialogun e rregullt politik dhe një bashkëpunim të gjerë në fusha me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe formimin profesional, shëndetësinë, qeverisjen vendore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për kontributin e saj në forcimin e institucioneve dhe qeverisjes vendore përmes programeve të bashkëpunimit për zhvillim dhe asistencës teknike.

Kreu i Shtetit çmoi në mënyrë të veçantë investimet e qeverisë zvicerane në zonat rurale. “Ne kemi njerëz dhe një natyre të mrekullueshme”, - u shpreh ai. “Investimet në këto zona në rritjen e cilësisë së jetesës janë një investim që bëjmë për brezat e rinj. Gjithashtu, ruajtja e trendit pozitiv që Shqipëria ka në turizëm ndihmohet shumë nga këto investime”,  u shpreh Begaj.

Presidenti theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe mirëpriti rritjen e investimeve dhe praninë e shtuar të bizneseve zvicerane në Shqipëri.

Në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i Diasporës shqiptare në Zvicër, si një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.