Presidenti italian Sergio Mattarella në Tiranë: E ardhmja e Shqipërisë në Europë, BE pa Ballkanin, e paplotë! Begaj: Mirëpresim investimet e Italisë

TIRANË- Në vizitën e tij zyrtare që po zhvillon në Tiranë, presidenti i Italisë Serggio Mattarella u prit me ceremoni zyrtare nga kreu i shtetit Bajram Begaj. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptare, presidenti Italian theksoi edhe një herë mbështetjen që Italia do të ketë për vedin tonë në kuadër të procesit të negociatave për integrimin drejt BE-së.

‘E ardhmja e Shqipërisë është në Europë dhe BE pa Ballkanin është e pa plotë!’- ky ishte mesazhi i presidentit Italian. Kreu i shtetit Italian duke e përcaktuar Shqipërinë si partner strategjik, u shpreh se vendi ynë ka një impakt shumë të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit. Një tjetër fakt ku u mbështet në fjalën e tij presidenti Italian, ishte edhe bashkëpunimi kulturor, mes dy vendeve ku shtoi se Italia është gatshme që të kontribuojë edhe në sajtet që mbrohen nga Unescko në Shqipëri. 

Nga ana tjetër presidenti i vendit Bajram Begaj u ndal tek lidhjet historike ndërmjet dy vendeve, ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë që ka vizita e kreut të shtetit italian në Shqipëri, e cila forcon edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha nivelet – politike, ekonomike, parlamentare, institucionale, kulturore. Në aspektin ekonomi, Begaj tha se mirëpret prezencën e shtuar të biznesit italian dhe vlerësojmë kontributin e sipërmarrjeve italiane në zhvillimin e vendit.

Gjatë kësaj vizite Presidenti Mattarella takoi edhe kryeministrin Edi Rama. Mattarella mbërriti dje në vendin tonë dhe u prit në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, ministrja e Arsimit, Evis Kushit dhe ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci. Në vizitën e tij, Mattarella shoqërohet nga Ministrja e Universitetit dhe Kërkimit Shkencor Maria Cristina Messa.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:15
Nikolla priti Presidentin italian Mattarella: Italia, pjesë e jetës së çdo shqiptari

 

“Italia është pjesë e jetës së çdo shqiptari.”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në takimin e sotëm me Presidentin e Republikës së Italisë, z. Sergio Mattarella si edhe delegacionin që e shoqëronte, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim ishin të pranishëm Zëvëndëskryetari i Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, znj. Mimi Kodheli, Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë me Italinë, z. Arben Pëllumbi, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri.

Në këtë takim të ngrohtë e mbresëlënës, pasi i uroi mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, si një mik i rrallë dhe i nderuar i vendit tonë, Kryetarja Nikolla e vlerësoi vizitën e Presidentit Mattarella “Një tregues domethënës i partneritetit strategjik, dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë, të cilat mbështeten në një trashëgimi të pasur historike, kulturore dhe ekonomike.  Italia ka qenë për shqiptarët dritarja nga shihnin Perëndimin dhe demokracinë. Italia ka qenë gjithashtu ndër mbështetëset më të fuqishme të zhvillimit, demokratizimit dhe integrimit evro-atlantik të Shqipërisë gjatë tre dekadave të fundit. Ne shqiptarët, i jemi mirënjohës Italisë për këtë mbështetje, për kontributin si avokate e integrimit evropian të Shqipërisë dhe si shtëpia e dytë e qindra-mijëra emigrantëve shqiptare. Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë do të mbështeten në përvojën dhe ekspertizën së Italisë, si një vend themelues i BE-së, edhe në procesin e gjatë e sfidues të negociatave. Për këtë kemi pasur e do të kemi edhe ndihmën e Dhomës së Deputetëve të Italisë.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. 

Shqipëria vlerëson rolin konstruktiv dhe aktiv të Italisë në rajon dhe në zhvillimet rajonale dhe beson në rolin e saj të domosdoshëm dhe në kontributin e saj thelbësor në tendencat pozitive të këtyre zhvillimeve.

Presidenti i Republikës së Italisë, Mattarella, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen dhe vuri në dukje se është nder i madh të pritet në Kuvendin e Shqipërisë. Midis Italisë dhe Shqipërisë, nënvizoi Presidenti Mattarella ka lidhje të fuqishme dhe historike, të cilat janë ushqyer edhe nga komuniteti i arbëreshëve në Itali, i cili është një komunitet shumë vital. Presidenti Mattarella përgëzoi Kryetaren Nikolla  për çeljen e negociatave të pranimit me BE-në dhe nënvizoi se kjo është një njohje e arritjeve dhe prestigjit të Shqipërisë si edhe një lajm i gëzueshëm për vendet që e kanë mbështetur dhe po e mbështesin integrimtin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, pa të cilin BE është e paplotë.

Kryetarja Nikolla dhe Presidenti Mattarella biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe aspekte të tjera të bashkëpunimit dypalësh.

Ora 15:52
FOTO/ Veliaj me Presidentin italian, Mattarella, homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

 

Pas takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti italian, Sergio Mattarella zhvilloi sot homazhe edhe te Varrezat e Dëshmorëve, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. 

"Shumë i lumtur që nderuam dhe mbajtëm homazhe sot, së bashku me Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, në Varrezat e Dëshmorëve!", shkruan kryebashkiaku Veliaj në Twitter. 

Kjo është vizita e parë e Presidentit italian Sergio Mattarella në Shqipëri.

 

 

Ora 13:26
Rama takon presidentin e Italisë Sergio Mattarellën

 

Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, presidenti i Italisë Sergio Mattarella ka takuar kryeministrit e vendit Edi Ramën. Vizita është zhvilluar në ambientet e kryeministrisë. 

Ora 11:35
Presidenti italian në Tiranë: Shqipëria partnere mjaft e rëndësishme për Italinë në rajonin e Ballkanit

 

Presidenti italian në vizitën e tij zyrtare në Shqipëri, gjatë konferencës së përbashkët me homologun, presidenti Bajram Begaj, nënvizoi theksin tek marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve.

‘Partneriteti ynë strategjik është i fortë edhe në aspektin ekonomik. Janë sektorë të ndryshme të agrokulturës dhe infrastrukturës. Ne jemi të gatshme për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. Shqipëria është një partnere mjaft e rëndësishme në rajonin e Ballkanit. Janë të rëndësishme edhe bashkëpunimet kulturore. Kujtojmë komunitetin arbëresh në Itali, duke materializuar që përmes traditave dhe zakoneve specifike, kështu që raporti në të gjitha fushat, të kontribuojmë për ta kultivuar këtë miqësi edhe në brezat e rinj. Ky bashkëpunim kulturor është shumë i rëndësishëm. Italia është gatshme që të kontribuojë edhe në sajtet që mbrohen nga Unescko në Shqipëri. Shqipëria është kryesore në Evropë, jo vetëm për marrëdhënien me Italinë por edhe më Europën. Ne do të jemi gjithmonë mbështetës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.’- u shpreh presidenti italian.

Ora 11:21
Begaj në takimin me Mattarellën: Mirëpresim rritjen e investimeve nga Italia

 

Presidenti i vendit Bajram Begaj në fjalën e tij me homologun italian Sergio Mattarella tha se gjatë takimit të tyre u diskutua në lidhje me rëndësishëm e vijimit të mbështetjes së Italisë për vendin tonë në procesin e negociatave.

‘Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në shënon një proces transformues. Biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane si në rrafshin teknik ashtu edhe në atë diplomatik në procesin e integrimit. Italia është partneri ynë i parë tregtar. E sigurova presidentin që ne mirëpresim një prezencë të shtuar të biznesit italian.’- tha Begaj.

Fjala e Presidentit Begaj në daljen e përbashkët me Presidentin e Italisë Mattarrella

Është kënaqësi  e rrallë të kemi në Tiranë sot presidentin mik Mattarella, i cili e pranoi me kënaqësi ftesën, duke demonstruar edhe një herë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera.

Shqipëria dhe Italia janë dy vende me lidhje të hershme dhe të qëndrueshme ndër shekuj.  Vende mike me një afërsi jo thjesht gjeografike, por në radhë të parë historike, kulturore, shpirtërore e njerëzore.

Ne sot kremtojmë këtë lidhje të fortë, që na siguron se popujt tanë do të vijojnë të mbështesin paqen, fqinjësinë e mirë, solidaritetin vëllazëror dhe rrugëtimin tonë të përbashkët në vlerat më të mira evropiane. 

Kodi i mikpritjes shqiptare, jo vetëm e ka përcaktuar vendin e nderit për mikun, por edhe na mëson se “miku i mirë njihet në kohë të vështira”  - e Italia mike ka qenë e tillë për popullin tonë në kohë të mira e në kohë të vështira.

Ne i jemi mirënjohës popullit italian, që në një botë që kërcënohet nga racizmi dhe ksenofobia mbetet shembull jo vetëm i integrimit dhe solidaritetit vëllazëror, por afirmimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave kulturore e shpirtërore të një bashkësie tjetër.

Komuniteti i arbëreshëve është një shembull i rrallë, që lartëson vlerat më të mira shpirtërore të dy popujve tanë.

Komuniteti Arbëresh në Itali, si dhe ai shqiptar i valëve të mëvonshme të emigracionit, janë ura të qëndrueshme miqësie dhe vëllazërie,  të cilët jo vetëm kanë arritur të integrohen, por janë mishërimi më i mirë i afërsisë së natyrshme kulturore e njerëzore mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Ndamë sot me Presidentin Mattarella mendimin, se vizitat e shpeshta në nivele të larta, janë jo vetëm shprehje e vëmendjes së politikës së jashtme të dy vendeve tona, pavarësisht qeverive në pushtet, por edhe rëndësisë prioritare që i japim forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politike, ekonomike, parlamentare, institucionale, kulturore.

Në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik, Shqipëria ka qenë me fat që ka gjetur tek Italia, një  mike të vyer dhe mbështetëse të pakursyer të përpjekjeve për integrim. Ne jemi mirënjohës që politika e jashtme italiane, prej vitesh, e ka përcaktuar si prioritet të saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke mbetur e palëkundur në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian shënon një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që kërkon përkushtim të shtuar në një proces transformues për të gjitha institucionet dhe ekonominë tonë.

Me Presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim dhe përshpejtimin e këtij procesi.

Prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për ne, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateral dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar.

Me Presidentin Mattarella ndamë përkushtimin, që institucionet tona duhet të vijojnë bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm, për të shfrytëzuar çdo potencial bashkëpunimi me interes për të dyja palët.

E sigurova Presidentin, se ne mirëpresim një prezencë të shtuar të biznesit italian dhe vlerësojmë kontributin e sipërmarrjeve italiane në zhvillimin e vendit.

Komisioni i Parë i Përbashkët Ekonomik i zhvilluar në Romë vitin e kaluar, është një instrument i rëndësishëm në identifikimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe eliminimin e pengesave për bashkëpunim.

Financimi i programeve që synojnë konsolidimin e sistemeve të prodhimit, lidhjen me rrjetet rajonale të infrastrukturës, promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale - së bashku me ato arsimore dhe shëndetësore - shihen me rëndësi për zhvillimin e vendit.

TAP-i është një instrument me peshë strategjike,  jo vetëm për vendet tona, por për gjithë rajonin dhe BE-në, duke qenë se na bën komplementarë në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe rritjes së sigurisë energjetike. Bashkëpunimi dhe projektet e deritanishme në sektorin e gazit dhe atë hekurudhor, janë me rëndësi dhe ofrojnë hapësira për eksplorim të mëtejshëm.

Bashkëpunimi ndër-institucional ka pasur zhvillime pozitive në vitet e fundit, me negocimin e disa marrëveshjeve, si ajo për njohjen e lejeve të drejtimit apo dhe marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore (pensioneve), etj.  Për këtë të fundit, i kërkova Presidentit mbështetje që të përmbyllet sa më parë dhe të pasohet me të tjera nisma, që lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë.  

Një fushë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit, për të cilën biseduam, është ajo ndërmjet agjencive ligjzbatuese – të dyja palët e konsiderojmë shumë të rëndësishëm vijimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, tashmë të konsoliduar, në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, goditjen e organizatave kriminale në Shqipëri dhe Itali, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta, shkëmbimin e informacionit, etj. 

Vendet tona bashkëpunojnë në një sërë nismash rajonale dhe ndërkombëtare – Nisma Adriatiko-Joniane, CEI, Procesi i Berlinit dhe nisma të tjera rajonale, të gjitha forume të rëndësishme për të konsoliduar lidhjet mes vendeve dhe ndërtuar një rajon dhe Evropë në paqe dhe mirëqenie.

Me kënaqësi vërejtëm sot, se bashkëpunimi ynë në të gjitha organizmat dhe forumet ndërkombëtare është i shkëlqyer dhe se duhet të vijohet në të njëjtën rrugë për të bashkërenduar dhe avancuar të gjitha prioritetet e agjendave të përbashkëta.

E falenderova mikun e nderuar për mbështetjen e pakursyer, që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit.

Së bashku, ne ndajmë të njëjtën politikë të jashtme në promovimin e stabilitetit, paqes, sigurisë, fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirjes, për të mundësuar një rajon në paqe, të zhvilluar dhe në BE.

Me Presidentin biseduam për rëndësinë e ruajtjes së peshës së BE-së dhe NATO-s në rajon. Vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndihmojnë Ballkanin, që të vijojë i palëkundur në rrugëtimin Euro-Atlantik pa lënë hapësira influence, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë larg rajonit.

Ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit prezencën e KFOR-it në Kosovë, si një prezencë që reflekton paqe dhe stabilitet.

E falenderova Presidentin Mattarella për mbështetjen që shteti Italian i ka dhënë Kosovës dhe theksova rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj mbështetjeje, veçanërisht për çështjet e sigurisë, liberalizimit të vizave, atë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vijimin e dialogut me Serbinë.

Shqipëria mbështet dialogun Serbi-Kosovë dhe beson se formula e zgjidhjes e shprehur nga Presidenti Biden dhe kancelari Scholz, si “marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, që rezulton në njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE është zgjidhja e duhur për të garantuar paqe të qëndrueshme në Ballkan.

Për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Italia ka luajtur një rol parësor dhe ka ofruar një ndihmë të jashtëzakonshme, për të cilën ne jemi mirënjohës.

Si vende anëtare në NATO, ne jemi të bashkuara si mike dhe aleate. Ndamë me Presidentin Mattarella shqetësimin e përbashkët për situatën e pazakontë të sigurisë dhe kërcënimet e shtuara, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

Po ashtu, ndamë vendosmërinë e përbashkët që dy vendet tona do të vijojnë të rrisin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të mbeten kontributorë të paqes dhe sigurisë në botë e të dënojnë çdo agresion apo ndërhyrje ushtarake, që synon robërimin e popujve të lirë.

Edhe në fushën e arsimit dhe edukimit, Italia dhe Shqipëria kanë bashkëpunim të shkëlqyer. Me kënaqësi vërejmë, se numri i studentëve italianë që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri, si dhe i studentëve shqiptarë që zgjedhin universitetet më në zë italiane, sa vjen e rritet. Kjo është një fushë, e cila jo vetëm u krijon të rinjve hapësirat e nevojshme, që ata të ndjekin ëndrrat dhe objektivat e tyre, por ndihmon edhe në afrimin e mëtejshëm të popujve tanë. 

Ne e vlerësojmë dhe nxisim bashkëpunimin mes institucioneve tona universitare, parauniversitare dhe ato të kërkimit shkencor. Vlerësojmë se zhvillimi i programeve të përbashkëta, shkëmbimet e studentëve, diplomat e dyfishta universitare, si dhe vazhdimi i Departamenteve të Gjuhës Shqipe në “La Sapienza” dhe universitete të tjera Italiane është me rëndësi për afrimin dhe njohjen e mëtejshme të popujve tanë.

Ne jemi thellësisht mirënjohës për faktin, se në Arkivat dhe Bibliotekat e ndryshme italiane janë ruajtur thesare të historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, pa të cilat Albanologjia dhe historiografia shqiptare do të kishin pasur humbje të mëdha. Ato përbëjnë sot një burim të rëndësishëm, që duhet shfrytëzuar më tej nga studiuesit e të dy vendeve për të zbuluar fakte të tjera, që pasurojnë historikun e marrëdhënieve vëllazërore të vendeve tona.

E sigurova Presidentin për angazhimin tonë të plotë në realizimin e nismës së Italisë, për të paraqitur në UNESCO kandidaturën, për përfshirjen si Trashëgimi Kulturore Universale të pasurisë kulturore të Arbëreshëve në kremtimet e “Motit të Madh”,  gjuhën, veshjen dhe ritet festive. Kjo nismë promovon urat e miqësisë dhe vlerat e përbashkëta, si pjesë të pandashme të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe historike shqiptare, italiane dhe evropiane të dy popujve e vendeve tona.

Në një botë gjithnjë e më të pasigurtë miqësia mes dy popujve tanë bëhet edhe  më e vyer. Le të kemi urtësinë të punojmë çdo ditë për ta ruajtur dhe forcuar më shumë këtë pasuri te trashëguar në shekuj, si detyrim për një të ardhme më të mirë për  popujt tanë miq!

Faleminderit!

Ora 10:06
Presidenti i Italisë pritet me ceremoni nga homologu shqiptar, nis takimi Sergio Mattarella – Bajram Begaj

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella u prit me ceremoni në Pallatin e Brigadave nga presidenti shqiptar Bajram Begaj, ku më pas nisën takimin zyrtar. Pas takimit pritet të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e dy presidentëve.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vizita: 11/09/2022 11:22

    Ardhja e një Presidenti në një vend, është gjithmonë e rëndësishme. Kur bëhet fjalë pastaj për figura shumë të vlerësuara në rang ndërkombëtar, kjo është një plusvalencë për ne. Shtoi dhe faktin që nuk ishte një vizitë 2 orëshe, por 2 ditorëshe, them se duhet të ndihemi të paktën të respektuar. Presidenti ynë ama duhet të bëjë ca më shumë praktikë me protokollin

    Përgjigju
  • gjergj mullaga: 09/09/2022 10:33

    pushtusat fashista italian nuk jane pjese e cdo Shqiptari ata po pushtusa mbeten

    Përgjigju
  • Iris: 09/09/2022 01:45

    //Italia eshte pjese e jetes se cdo shqiptari//-ia keput L.Nikolla.Te diplomuares ne shkencat ekzakte per matematike,znj.L.Nikolla i falet nje deklarate idiote e ketij lloji,ish min.te arsimit dhe kryetares se kuvendit,nuk i falet.Me Italine kemi patur nje histori te gjate me te perpjeta e te tatepjeta,por as nje shtet ne bote nuk eshte bere kurre pjese e jetes se shqipove,pavaresisht influences e situatave.Nje koment kam dhe per Ramen:Gjithe ajo salle gjigande kerkon mobilim tjeter,sidomos ato karriget qe duken shume te parehatshme duhen hequr.Ku i ke gjetur,ne ish hetuesite e Xhaxhit,apo ne ish-kryesite e kooperativave???!!!

    Përgjigju
  • Eri: 08/09/2022 20:06

    Pa Italine nuk ka Shqiperi. Jane populli me i zgjuar dhe me i dashur ne bote.

    Përgjigju
  • Qfar italia e bark boshave: 08/09/2022 18:18

    Qfar otaline do te kemi mik more a ke pa sa vujn shqiptret e italise ne ate shtet me rroga mizerable dhe plot diskriminacion , shtet k***a italia lere fare

    Përgjigju
  • Italionofil: 08/09/2022 14:53

    Shqipria partner të parë duhet të kete Italiane ! As USA as Gjermania as Anglia as Belgjika por Italia duhet të jetë miku me i madh politik ekonomik për Shqiperine ! Urojme shume shpejt një ure - Lecce -Vlorë ose tunel mallërash që të bëhet një zhvillim galopant

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare