TIRANE - Me ftesë të Presidentit të Shtetit të Izraelit, Shimon Perez, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të marrë pjesë në Konferencën e Pestë Presidenciale “Përballja me të nesërmen”, e cila do të zhvillohet në Jeruzalem nga datat 18 deri më 20 qershor 2013.

Burimet zyrtare të Presidencës njoftuan se Konferenca e Pestë Presidenciale, që organizohet në kujdesin e veçantë të Presidentit izraelit, Shimon Perez, së bashku me Universitetin Hebraik të Jeruzalemit do të mbledhë së bashku për të shkëmbyer ide dhe pikëpamje rreth sfidave të ndryshme globale krerë shtetesh dhe qeverish, personalitete të spikatura dhe ekspertë nga mbarë bota, studiues ndërkombëtarë dhe aktivistë, poetë dhe shkencëtarë, artistë dhe klerikë si dhe përfaqësues të brezit të ardhshëm të udhëheqësve.

“Pjesëmarrja juaj e shquar në këtë bashkëbisedim do të jetë tepër e çmuar për cilësinë e kësaj Konference dhe rezultati i saj do të përfitojë nga kjo gjë. Besoj se të pranishmit në “Përballjen me të nesërmen 2013” do të jenë të privilegjuar nga prania dhe kontributi juaj i veçantë dhe unë do të isha shumë i kënaqur që do t’ju kemi mes nesh.” – theksohet në ftesën e Presidentit izraelit Shimon Perez drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)