Presidenti mbledh Sigurinë
Peleshi: Strategji kundër drogës

Presidenti mbledh Sigurinë<br />Peleshi: Strategji kundër drogës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mblodhi sot për më shumë se tre orë Këshillin e Sigurisë, lidhur me situatën e kanabisit në vend. Rreth orës 18:05 n në Presidencë u futën të gjithë përgjegjësit e institucioneve, përveç kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në SHBA. Vendin e Ramës në Këshillin e Sigurisë e zuri zv/kryeministri Niko Peleshi. Pjesë e kësaj mbledhjeje ishte edhe kryeparlamentari Ilir Meta.
 
Presidenca zbardh diskutimet në mbledhje
Presidenca ka zbardhur mbledhjen e Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Në faqen zyrtare të Presidencës bëhet e ditur se Këshilli i Sigurisë Kombëtare nënvizoi shqetësimin se ky fenomen i përhapur përbën një aktivitet të rëndë kriminal me tendencë kriminalizimin e shoqërisë, me ndikim negativ në ekonominë e vendit, korrupton shoqërinë, dëmton shëndetin e qytetarëve dhe cënon imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

"Duke e konsideruar si një kërcënim ndaj çështjeve të sigurisë këtë fenomen, u theksua domosdoshmëria për forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional, si dhe rritja e bashkëpunimit efikas me agjencitë dhe institucionet partnere ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë.

Gjithashtu u evidentua rëndësia që ka trajtimi i kësaj çështjeje në frymën e angazhimit konsensual dhe me realizëm, duke përfshirë edhe masa të rrepta për goditjen e elementëve të inkriminuar që kanë arritur të penetrojnë në organet ligjzbatuese.

Në mbyllje Presidenti Nishani mirëpriti kontributet konstruktive të përcjella në këtë takim, duke vlerësuar se task-forca e ngritur nga ekzekutivi me qëllim arritjen e një bashkëpunimi ndër-institucional më të suksesshëm operacional vërteton përmasën e këtij fenomeni në vend, ashtu si edhe nevojën për ta luftuar atë më me vendosmëri dhe efikasitet."- thekson Presidenca. 

Peleshi: Në janar strategji për drogën
Në përfundim të mbledhjes, zv/kryeministri Niko Peleshi theksoi se puna e deritanishme e policisë kundër drogës i ka dhënë rezultatet e saj, gjë që u vlerësua edhe nga Komisioni Europian në raportin për Shqipërinë, në bazë të të cilit rekomandoi hapjen e negociatave.  Peleshi theksoi se në janar do të hartohet një strategji kundër drogës.

"Në muajin janar do hartohet një strategji kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ndonëse është një fenomen që nuk ka lindur sot"- deklaroi Peleshi. 

Burime nga Presidenca bënë të ditur se krahas Nishanit, në Këshill raportoi edhe Ministri i Brendshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, ai i Policisë së Shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Presidenti kërkoi të dinte nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që sollën këtë situatë me kultivimin e narkotikëve dhe si do të luftohet ky fenomen.

Në Këshillin e Sigurisë ishin të pranishëm edhe  ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtëm, ai i Financave dhe ministri i Transporteve.

Presidenti Nishani nuk e ftoi kreun e opozitës Lulzim Basha, ndryshe nga nëntori i kaluar kur e thirri Këshillin e Sigurisë në kuadër të sulmeve terroriste.
Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se Basha nuk është ftuar sot, pasi këtë herë objekt i Këshillit është specifik, ndërsa herën e parë objekti ishte më i gjerë.

Kryeministri Rama u nis mesditën e së enjtes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në 11 nëntor nga galeria njujorkeze “Mariana Goodman e cila do të ekspozojë pikturat e tij.
 
Gjatë intervistës së tij për Report tv të mërkurën në eventin e organizuar nga Ambasada Amerikane në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, presidenti Bujar Nishani pohoi se nuk ishte venë në dijeni për mungesën e Ramës.
 
"Nuk kam informacion që nuk do të jetë kryetari i qeverisë. Këshilli është organi më i lartë këshillimor përsa i takon çështjeve të sigurisë, besoj që siguria kombëtare është çështje më madhore për cdo qytetar shqiptar, posaçërisht për përfaqësuesit e institucioneve.
 
Ne mblidhemi për t'u këshilluar për të diskutuar dhe për të parë qasjen dhe angazhimin për një problem serioz për të cilin kanë përgjegjësi të gjithë aktorët për t'u angazhuar" deklaroi Nishani.

d.b/er.nu/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Mushkonjat nuk i pickojnë njerëzit që hanë këto ushqime

Mushkonjat nuk i pickojnë njerëzit që hanë këto ushqime