Gjykata e Lartë, përmes një vendimi të marrë më 1 mars, ka rihapur çështjen e një çifti egjiptian, i cili u dëbua nga Shqipëria në vitin 2008, vendim i marrë nga Ministria e Brendshme kur drejtohej nga Bujar Nishani.

Dëbimi i Hanem Mohamed e Abdelaziz Ibrahim është një doje e cila do të rigjykohet në Apelin Administrativ.

Çifti i bashkëshortëve egjiptianë hynë në territorin e Shqipërisë në vitin 1995. Paditësit janë prindër të katër fëmijëve, të cilët në kohën e gjykimit të çështjes kanë qenë të mitur. Fëmija më i vogël ka lindur në Shqipëri dhe rezulton se ka shtetësinë shqiptare.

Ata kanë kërkuar leje qëndrimi në vitin 2008 dhe u është refuzuar me urdhër të Bujar Nishanit.

Çështja shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës duke konstatuar cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosgjykimit të çështjes brenda afatit të arsyeshëm.

Në vendimin e para 9 ditëve, Gjykata e Lartë vendosi se Gjykata Administrative e Apelit, tashmë si një gjykatë kompetente,  gjatë rigjykimit të kësaj çështje duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, duke patur në konsideratë edhe veçantitë që paraqet gjykimi administrativ. Në këtë kuptim, gjykata është e detyruar të vlerësojë zbatimin e parimeve të përgjithshme mbi barrën e provës dhe mosparaqitjen e provave nga organi publik në procesin gjyqësor administrativ, në zbatim të neneve 3, 35 dhe 26/3 të ligjit nr. 49/2012.