-Nishani vlerëson me Dekoratën "Nënë Tereza" ambasadorin Nigido dhe me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, Gjeneralin Cucchi -
TIRANË, 10 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Në selinë e Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia e dekorimit të ambasadorit Roberto Nigido, të cilin Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën "Nënë Tereza" në shenjë mirënjohjeje për angazhimin në hartimin dhe zbatimin me sukses të operacionit 'Alba' gjatë krizës së vitit 1997 në Shqipëri, si dhe për sigurimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Italisë në kapërcimin e krizës, në interes dhe të stabilitetit e paqes në të dyja anët e Adriatikut dhe hapësirës evropiane.
Presidenti Nishani vlerësoi Gjeneralin Giuseppe Cucchi me "Dekoratën e Artë të Shqiponjës" në shenjë mirënjohjeje për ideimin, përcaktimin dhe drejtimin me sukses të operacionit 'Alba' në Shqipëri, në çastet e vështira të krizës së vitit 1997, nëpërmjet nxitjes së nismave të ndryshme në Itali dhe koordinimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Italisë, në mbështetje të operacionit dhe rikthimin e rendit e qetësisë në vend.
Presidenti Nishani u shpreh se "Në ato momente dramatike që përkonin edhe me fillesat tona demokratike, kur vendit, por edhe rajonit, i kanoseshin rreziqe shumëdimensionale nga kaosi dhe anarkia, miqtë e Shqipërisë, me iniciativë të Italisë miratuan në Kombet e Bashkuara një rezolutë për të ndihmuar dhe rikthyer qetësinë dhe stabilitetin në vend përmes operacionit shumëkombësh 'Alba.'
"Mendoj se është shumë e rëndësishme që jo vetëm mësimi i marrë nga ajo periudhë të mos harrohet e të mos përsëritet më kurrë, por nuk do të duhet të harrohet edhe kontributi dhe ndihma bujare e Italisë dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe shqiptarëve" u shpreh Presidenti. /a.ke/f.n/









