TIRANË, 17 Shkurt/ATSH/-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim të veçantë Zëvendëskryeministrin dhe njëherazi ministër i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Belgjikës, Didier Reynders, i cili ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare.
Presidenti Nishani vlerësoi ruajtjen e marrëdhënieve shumë të mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe të kontakteve të vazhdueshme në nivele të larta, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen konstante që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e Belgjikës për agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri, me impakt të drejtpërdrejtë në rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Gjithashtu, Presidenti Nishani e njohu Reynders me vëmendjen që ai personalisht, por edhe institucione të tjera të shtetit shqiptar, po i kushtojnë reformës në drejtësi, duke e vlerësuar atë si një nga prioritetet më të larta të shoqërisë shqiptare dhe garanci për të ardhmen e vendit dhe të investimeve të huaja dhe shprehu bindjen se përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe intensifikimit të kontakteve dhe informacioneve, të dy vendet do të eksplorojnë më mirë mundësitë e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Nishani dhe Reynders gjithashtu shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin rajonal si parakusht për integrimin evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe për çështjet e sigurisë globale si dhe solli në vëmendjen e zotit Reynders kontributin e Shqipërisë në rajon dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar./i.v/ /a.ke/








