Flamuri i presidencës në pamje të parë ngjason me flamurin tonë kombëtarë por ka bërë ndryshime. E para është përkrenarja e cila është vendosur në pozicion ballor, pavarësisht se në stemën e Republikës së Shqipërisë ajo është me fytyrë nga e majta. Krahas kësaj, edhe pendët e bishti dhe këmbët e shqiponjës dykrenore nuk janë me shqiponjën e flamurit.
Konkretisht në flamurin shqiptar shqiponja ka nga 9 pendë në secilin krah, ndërsa tek flamuri i presidencës ka 8. Bishti dhe kthetra e shqiponjës është deformuar tërësisht.
Në njoftimin e presidencës thuhet se janë marrë për bazë figurat e lashtësisë shqiptare, por nga pamjet duket se janë në shkelje të simbolit kombëtar. Pozicionimin ballorë të përkrenares Nishani e ka argumentuar se presidenti nuk ka anshmëri por sërish ajo bie ndesh me simbolin kombëtar.
Sipas stemës së Republikës së Shqipërisë, përkrenarja është me pamje nga e majta, por që bie ndesh edhe me pozicionimin që kryeministria ka vendosur për përkrenaren e cila është me pamje nga e djathta. Lidhur me ndryshimin që Rama i bëri përkrenares kur mori mandatin e kryeministrit, Partia Demokratike e sulmoi atë duke konsideruar se ka shkelur kushtetutën duke ndryshuar simbolin kombëtar. Këto ndryshime të shqiponjës dhe përkrenare Nishani i ka bërë edhe tek logo presidencës ku vërehen të njëjta shkelje si tek flamuri i presidencës.
Flamuri Kombëtar dhe Stema e Republikës së Shqipërisë sipas ligjit
Në nenin 3 të ligjit “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasat e Stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre.” përcaktohen përmasat dhe format e Flamurit Kombëtar.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet: Flamuri kombëtar paraqet një fushe me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje te zeze dykrenore ne mes, me krahë te hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pende, ndërsa bishti ka shtatë pende.
Në nenin 7 të ligjit “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasat e Stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre.” përcaktohen përmasat dhe format e Stemës së Republikës se Shqipërisë.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet: Stema e Republikës se Shqipërisë është simbol shtetëror. Ajo paraqet një shqyt, me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje ne qendër, te njëjtë me shqiponjën e flamurit kombëtar te Republikës se Shqipërisë. Ne krye te shqytit, me ngjyre te arte, është vendosur përkrenarja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ne profil djathtas. Përmasat e shqytit janë në raportin 1 me 1, 5 njësi.
Njoftimi i plotë i Presidencës
Në përfundim të procedurave për ideimin, modelimin dhe realizimin e simboleve të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe të dekoratave e titujve të nderit që jepen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, komisioni përzgjedhës për shqyrtimin e propozimeve të paraqitura, në zbatim të Urdhrit Nr 9, datë 20.08.2013, “Për rishpalljen e konkursit “Për procedurat e ideimit, modelimit dhe realizimit të simboleve të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe të dekoratave e titujve të nderit që jepen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë””, i përbërë nga shumica e anëtarëve i vlerësoi pozitivisht punimet e paraqitura dhe vendosi që t’i propozojë Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Bujar Nishani miratimin e punimeve të autorit Ylli Beqiri:
1. Flamuri
2. Logo
3. Dekorata “Nënë Tereza”
Si konkluzion, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bujar Nishani miratoi propozimet e komisionit sipas punimeve të mëposhtme:
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)