Presidenti, OSBE: Konsensus
si për Avokatin e Popullit

Presidenti, OSBE: Konsensus<br />si për Avokatin e Popullit
TIRANË - OSBE i propozon politikës shqiptare që për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit në muajin korrik, të mbështetet tek konsensusi. I pyetur nga mediat në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri, ambasadori Wollfarth ka theksuar se një rast i mirë ku palët kanë arritur dialogun mes tyre është edhe miratimi me konsensus i Avokatit të Popullit. .
“Është me rëndësi që të shtrohet rruga e nevojshme për integrimin dhe vizita e sotme me zotin Totozani tregon se dialogu është i nevojshëm dhe unë mendoj që dialogu është i mundur”, ka theksuar Wollfarth pas takimit me Avokatin e Popullit.
Sipas tij miratimi i kandidaturës së Igli Totozanin me konsensusin e të dyja palëve në Parlament është një fakt inkurajues sepse tregon besimin për vendosjen e të drejtave të njeriut.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë ka deklaruar gjithashtu se konsensusi politik mbetet një nga kushtet kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Të plota komentet e Ambasadorit Wollfarth pas takimit me Avokatin e Popullit

Ambasadori Wollfarth: Ishte shumë i rëndësishëm sot takimi i parë me z. Totozani, Avokati i Popullit i zgjedhur së fundi me një shumicë dërrmuese prej 127 votash në parlament. Kjo është një deklaratë tejet e rëndësishme që vjen nga parlamenti në mbështetje të Avokatit të Popullit dhe të institucionit të Avokatit të Popullit; është një votë për qytetarët shqiptarë. E përgëzova z. Totozani sot për këtë votëbesim të rëndësishëm. Ky besim duhet të shprehet gjithashtu përmes pranimit të punës së tij. Është një punë për të Drejtat e Njeriut, për Shtetin e së Drejtës, veçanërisht përballë autoriteteve në Shqipëri. Është një kanal tjetër që i shtohet kanalit që qytetarët tashmë kanë në parlament, kanali për të gjetur të drejtën e tyre përpara autoriteteve, kur qytetarët kanë bindjen e bazuar se nuk janë trajtuar në mënyrë të drejtë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e mandatuar për ta mbështetur Shqipërinë për të pasur të Drejta të Njeriut të plota dhe një Shtet të së Drejtës të plotë, dhe Zyra e Avokatit të Popullit dhe vetë Avokati i Popullit janë pikënisje të rëndësishme. Më vjen shumë mirë që tashmë e shohim Shqipërinë në pozitën që është plotësisht e pajisur në këtë drejtim. Z. Totozani do të ketë jo vetëm përkrahje personale, por edhe nga ana institucionale ai do të vazhdojë të ketë përkrahjen e plotë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Pyetje: Z. Ambasador, viti i ri filloi me një debat lidhur me kuorumin e nevojshëm për votimin e presidentit. A është ky prelud i një ngërçi të ri politik?

Ambasador Wollfarth: Ajo që është shumë e rëndësishme për të shtruar rrugën drejt integrimit evropian është konsensusi, të folurit me njëri-tjetrin, dhe ja tek jemi sot jemi këtu tek institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo tregon se konsensusi është jo vetëm i mundur, por edhe se me konsensus Shqipëria ecën përpara. [Duke iu drejtuar Avokatit të Popullit pranë tij:] zgjedhja me 127 vota për ju, z. Totozani, është tejet e rëndësishme, tejet inkurajuese dhe shpresoj gjithashtu që do t’i japë një shtysë të fortë kauzës së të Drejtave të Njeriut dhe të Shtetit të së Drejtës. Shpresoj që një konsensus i ngjashëm – mbase jo aq i lartë – por një konsensus i ngjashëm të mund të arrihet kur të gjendet kandidati apo kandidatët për president.

Pyetje: Z. Ambasador, ndoshta duke folur për konsensusin dhe për mënyrën e ndjekur për përzgjedhjen e Avokatit e Popullit, mendoni se e njëjta formulë mund të funksionojë edhe për zgjedhjen e presidentit? Pra, a mund të gjendet konsensusi në një farë mënyrë edhe për përzgjedhjen e Kreut të Shtetit?

Ambasadori Wollfarth: Viti sapo ka filluar, zgjedhjet janë në korrik, kushtetuta është aty, dhe ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar. Prandaj le t’ia kushtojmë ditën e sotme Avokatit të Popullit. Do të thosha që ky është vërtet një hap i madh për qytetarët shqiptarë dhe gjithashtu për integrimin evropian.




(aq/am/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë