Rusia ka rekrutuar qindra jemenas për të luftuar në Ukrainë, një lëvizje që nxjerr në pah lidhjet në rritje midis Moskës dhe rebelëve Houthi (një lëvizje pro-iraniane Zaydi që kontrollon pjesë të mëdha të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sana'a).
Kjo u zbulua nga Financial Times, sipas së cilës jemenasit rekrutohen me forcë dhe dërgohen në vijën e frontit. Të rekrutuarit kanë thënë për mediat e huaja se ata mbërritën në Rusi nëpërmjet një kompanie misterioze të lidhur me Houthi, me premtimin e punësimit me paga të larta dhe madje edhe nënshtetësinë ruse.
Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, beson se ka një shans të madh për t'i dhënë fund luftës në vitin 2025.
Ai e deklaroi këtë gjatë një konference për shtyp në kuadër të Konferencës së Tretë Ndërkombëtare të grurit nga Ukraina, raporton korrespondenti i Ukrinform.
"Sa i përket kohës kur do të përfundojë lufta, do të përfundojë kur Rusia të vendosë se dëshiron t'i japë fund luftës. Kur SHBA të marrë një pozicion më të fortë. Kur Jugu Global të qëndrojë me Ukrainën dhe në favor të përfundimit të luftës",- tha Zelensky.
Kreu i shtetit theksoi se është i bindur se këto zhvillime do të ndodhin herët a vonë dhe do të merren vendime.
“Kjo do të jetë një rrugë e vështirë, por jam i bindur se kemi çdo shans për ta arritur këtë vitin e ardhshëm”, theksoi Zelensky.
Gennady Anashkin
Rusia ka larguar nga detyra një komandant të lartë për deklarata të rreme lidhur me përparimin e luftës në disa zona të Ukrainës lindore, sipas blogerëve ushtarakë dhe mediave ruse.
Kolonel Gjenerali Gennady Anashkin, komandanti i Grupit të Forcave Jugore, u shkarkua pasi raportoi në mënyrë të pasaktë për përparimin e Rusisë pranë vendbanimit Siversk në rajonin e Donetskut, thonë blogerët.
Sipas mediave ruse, përfshirë RBC, Anashkin u largua nga detyra si pjesë e një rotacioni të planifikuar, duke cituar burime anonime nga Ministria e Mbrojtjes. Deri tani, nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga autoritetet ruse. Ndërkohë, forcat ukrainase po përballen me një “nga ofensivat më të fuqishme ruse” që nga fillimi i luftës, sipas shefit të ushtrisë së Ukrainës.
Megjithatë, përparimi ka qenë i ngadalshëm në disa zona, ku disa vendbanime janë bërë “sinonim i gënjeshtrave dhe humbjeve të panevojshme,” sipas Rybar, një nga blogerët ushtarakë më të njohur rusë në Telegram.
“Vetëm të paaftët nuk kanë shkruar për problemet atje. Në përgjithësi, sistemit iu deshën rreth dy muaj për të reaguar siç duhet,” shkruan Rybar, duke iu referuar vendbanimeve pranë vijës së frontit, për të cilat thuhet se Anashkin kishte raportuar rrejshëm se ishin marrë.
Disa blogerë kanë theksuar se raportimet e pavërteta nga disa komandantë lidhur me situatën në terren kanë çuar në humbje të mëdha për njësitë ruse.
Blogerët ushtarakë janë bërë një burim i rëndësishëm informacioni që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Shumë prej tyre kanë kontakte të ngushta brenda ushtrisë ruse ose mes separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Aleksandër Darchiev
Aleksandër Darchiev, një diplomat me përvojë 64-vjeçar që ka drejtuar delegacionin rus në Kanada dhe që prej vitit 2021 ka udhëhequr departamentin për çështjet e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, është emëruar ambasadori i ri i Rusisë në Uashington. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta Kommersant.
Darchiev ka punuar në diplomaci që prej vitit 1992 dhe ka shërbyer si ambasador në Kanada nga viti 2014 deri në 2021. Ai ka jetuar dhe ka punuar për shumë vite në Shtetet e Bashkuara, gjë që e bën një nga ekspertët kryesorë të Rusisë për çështjet e Amerikës së Veriut. Kremlini kishte deklaruar më parë se nuk do të ulte nivelin e përfaqësimit diplomatik, pavarësisht përkeqësimit të marrëdhënieve me Shtëpinë e Bardhë për shkak të mbështetjes së saj për Ukrainën.
Darchiev pritet të marrë detyrën në një kohë tensionesh të mëdha midis Moskës dhe Uashingtonit. Megjithatë, rikthimi i mundshëm i Donald Trump në presidencën amerikane është parë si një mundësi për rifillimin e kontakteve mes Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë. Ish-ambasadori rus, Anatoly Antonov, u kthye në Moskë më pak se një muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, pasi kishte shërbyer për shtatë vjet në këtë detyrë.
“Antonov e përfundoi me sukses misionin e tij. Tani është radha e dikujt tjetër,” u shpreh Yuri Ushakov, këshilltari i Kremlinit për çështjet ndërkombëtare.
Dmitry Peskov
Moska akuzon administratën amerikane në largim për minimin e planeve të presidentit të zgjedhur Donald Trump për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.
“Gjatë fushatës zgjedhore, Trump tha se donte të bënte paqe disi dhe ai po i udhëhiqte të gjithë në një rrugë paqeje. Tani ata po bëjnë gjithçka për të përshkallëzuar situatën në atë mënyrë që planet e paqes të jenë të destinuara të dështojnë”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një media ruse, raporton La Repubblica.
Sipas Peskov, administrata Biden ka treguar se "do të bëjë gjithçka për të siguruar që kjo luftë të mos përfundojë".
Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin
Çështjet ekonomike ishin në qendër të një bisede të re telefonike mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan. Këtë e raportoi agjencia Tass, duke cituar një shënim nga Kremlini.
“Në vazhdim të bisedës që patëm në Kazan më 23 tetor (në margjinat e samitit të BRICS), u diskutuan në thellësi çështjet aktuale në axhendën dypalëshe, me theks në rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik", lexohet në deklaratë, duke nënvizuar se të dy liderët kanë trajtuar edhe çështje të ndryshme ndërkombëtare.
Gjithashtu, edhe presidenca turke sqaroi se në bisedën telefonike me Putin, “Presidenti Erdogan ka deklaruar se ai synon rritjen e bashkëpunimit në mes të Turqisë dhe Rusisë në disa drejtime, përfshirë zgjerimin e volumit tregtar”.
Ushtria ruse ka rekrutuar qindra burra jemenas për të luftuar në Ukrainë, të sjellë nga një operacione të fshehta kontrabande që nxjerr në pah lidhjet në rritje midis Moskës dhe grupit rebel Houthi, shkruan Fincialtimes.com.
Shfaqja e ekuipazhit të larmishëm të mercenarëve jemenas kryesisht të pavullnetshëm në Ukrainë tregon se si konflikti po tërheq gjithnjë e më shumë ushtarë nga jashtë, ndërsa viktimat rriten dhe Kremlini kërkon të shmangë mobilizimin e plotë.
Midis tyre janë luftëtarë nga Nepali dhe India dhe rreth 12 000 ushtarë të ushtrisë së rregullt të Koresë së Veriut që mbërritën për të marrë pjesë në luftime kundër forcave ukrainase në provincën Kursk të Rusisë.
Përpjekja për rekrutët jemenas tregon gjithashtu se si Rusia, e shtyrë nga konfrontimi i saj me Perëndimin, po afrohet gjithnjë e më shumë me Iranin dhe grupet militante aleate në Lindjen e Mesme.