LIBAN - Presidenti i Libanit, Michel Suleiman, ka pranuar formalisht dorëheqjen e kryeministrit Najib Mikati, i cili njoftoi dje tërheqjen e tij si kreu i kabinetit qeveritar.

Vendim i Mikati-t vjen pas ndarjeve të thella të kabinetit, i cili dështoi të aprovonte një komision për të mbikëqyrur zgjedhjet e planifikuara për në muajin qershor.

Kryeministri tha se shpreson që ky vendim i tij do të jetë një shtysë për udhëheqësit e tjerë, që të marrin përgjegjësitë e tyre.

Më parë Mikati kishte bërë thirrje për zgjatjen e mandatit të shefit të sigurisë së brendshme, Ashraf Rifi por ka hasur kundërshtimin e lëvizjes islamiko-shiite, Hezbollah, dhe aleatëve të saj që dominojnë qeverinë.

Kohët e fundit, Libani është përfshirë nga kriza politike e cila ka lidhje edhe me trazirat në Sirinë fqinje.

Ndarjet politike dhe sektariane në Liban janë ndikuar fuqishëm nga konflikti në Siri, pasi shumë muslimanë sunitë simpatizojnë rebelët në Siri, ndërsa lëvizja Hezbollah mbështet presidentin Bashar Al assad.

Kryeministri theksoi se ndarjet e brendshme mes libanezëve kishin krijuar plagë të thella, që mund të riparoheshin vetëm përmes dialogut.

Redaksia Online
(Gre.M/l.c/Shqiptarja.com)