Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka deklaruar se marrëveshja për naftën e arritur me SHBA-në do të mbetet në fuqi për 25 vjet dhe synon të rrisë prodhimin ditor të naftës së vendit në më shumë se 1,5 milion fuçi
Në një intervistë për transmetuesin shtetëror VTV, Rodriguez ka komentuar marrëveshjen që e ka cilësuar si “historike” për naftën, e arritur me SHBA-në.
“Qëllimi ynë është të shkojmë edhe më tej me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera të mëdha që përfshijnë kompani gjigante si Chevron, Repsol, Eni, Shell dhe BP. Ne duam të bëhemi një fuqi energjetike. Në terma konkretë, kjo do të thotë se afërsisht 19 dollarë për çdo fuçi të prodhuar dhe të shitur do të shkojnë drejtpërdrejt në vendin tonë”, tha Rodriguez.
Duke folur për kontributin e pritur të marrëveshjes në ekonominë venezuelase, Rodriguez theksoi se, bazuar në një çmim të naftës prej 65 dollarësh për fuçi, vendi mund të gjenerojë 209,335 miliardë dollarë të ardhura nga marrëveshja.
Rodriguez falënderoi presidentin amerikan Donald Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për përpjekjet e tyre drejt arritjes së marrëveshjes, duke thënë se “secila palë ka kontribuuar me atë që di ta bëjë më mirë”.
“Duhet të jetë absolutisht e qartë se Venezuela ruan pronësinë dhe sovranitetin mbi burimet e saj”, tha ajo.
Trump deklaroi të premten se Washingtoni ka finalizuar një marrëveshje me Venezuelën për të siguruar kontrollin e shumicës së më shumë se 65 miliardë fuçive rezerva të provuara të naftës.
“SHBA-ja sapo ka hyrë në një marrëveshje me Venezuelën për marrëveshjen më të madhe të naftës në historinë botërore”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
Trump pohoi se marrëveshja është arritur përmes një partneriteti me sektorin privat dhe nuk do t’u kushtojë asgjë taksapaguesve amerikanë. Ai ka deklaruar se marrëveshja më shumë se dyfishon rezervat ekzistuese të naftës të SHBA-së dhe se në afat të gjatë do të “ulë ndjeshëm çmimet e karburantit” për amerikanët, duke nxitur njëkohësisht prosperitetin në vendin e Amerikës së Jugut.






Komente
Komento