Presidentja Jahjaga e sheh zgjidhjen
në respektimin e Kushtetutës

Presidentja Jahjaga e sheh zgjidhjen<br />në respektimin e Kushtetutës
Presidentja Atifete Jahjaga është kthyer nga vizita në SHBA, ku për disa ditë me radhë zhvilloi takime të rëndësishme duke filluar nga takimi me presidentin Barak Obama e deri tek liderët tjerë.

Nga të gjitha bisedat, presidentja Jahjaga ka marrë mbështetje të fuqishme për Kosovën dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke përfshirë edhe rrugëtimin drejt integrimit në BE. Gjatë javës së punimeve të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Jahjaga mori pjesë në pritjen tradicionale të presidentit të SHBA-së Barack Obama, ku pjesëmarrës ishin edhe presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë vendeve të botës.

E pikërisht kjo mbështetje amerikane ndaj presidentes pritet t'i qartësojë edhe zhvillimet politike në Kosovë dhe tejkalimin e ngërçit politik. Para seancës së 2 tetorit, presidentja Jahjaga pritet t'i takojë edhe një herë liderët politikë, në mënyrë që të dijë më shumë rreth qëndrimeve të tyre. Por, çfarë thonë analistet e çka kabineti i presidentes?

Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu, përmes postës elektronike tha se Presidentja do t'i vazhdojë takimet me krerët e subjekteve politike, nga të cilët do të kërkojë përkushtim në gjetjen e zgjidhjeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. “Forma e mënyra e takimeve janë hapa që përcaktohen gjatë periudhës së diskutimeve” tha për RTK-në Arbër Vllahiu.

Sa i përket mënyrave për tejkalimin e gjendjes së tanishme politike, Vllahiu tha se presidentja zgjidhjen e ngërçit e sheh në respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve që sjell Kushtetuesja. Sipas tij, u mbetet deputetëve dhe liderëve politikë që të gjejnë zgjidhje në përputhje me kuadrin kushtetues, dhe përmes një procesi lehtësues të diskutimeve që udhëhiqet nga presidentja.

Ndërkaq, i pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Vllahiu tha se në Kushtetutën e vendit janë të përcaktuara mënyrat se si vendi mund të shkojë në zgjedhje.

Ndërsa Emrush Ujkani, njohës i rrethanave politike në vend, shprehet skeptik se kthimi i presidentes Jahjaga nga SHBA-të, nga ku mori mbështetje të fuqishme, mund të ndikojë edhe në zhbllokimin e ngërçit politik në vend. Sipas Ujkanit, duke mos anashkaluar kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë, qytetarët e Kosovës meritojnë institucione nga të zgjedhurit e popullit dhe pa ndikime nga faktori ndërkombëtar.

Sipas Ujkanit, nga ecuritë e deritashme nuk mund të pritet ndonjë ndryshim radikal nga ajo çfarë është parë në 3 muajt e fundit dhe se është pak e besueshme që ka zgjidhje të situatës pa shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Megjithatë, ditëve të fundit janë dhënë opsione të ndryshme për seancën e 2 tetorit dhe tejkalimin e ngërçit politik në vend.

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Sytë drejt Teheranit! Izraeli pret sulmin dhe paralajmëron: Do të përgjigjemi

Sytë drejt Teheranit! Izraeli pret sulmin dhe paralajmëron: Do të përgjigjemi