Vjosa Osmani në Kuvend: Jemi populli më paqedashës, të ecim bashkë! Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj (VIDEO)

Në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri, Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani u ndal në Kuvendin e Shqipërisë ku zhvillohej seanca plenare. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Osmani vendosi theksin në bashkëpunimin mes 2 vendeve për të dënuar dhunën dhe gjenocidin serb gjatë luftës në Kuvend.

Sikurse dje, ajo i bën thirrje Shqipërisë që t'i bashkohet Kuvendit të Kosovës për të miratuar rezolutën që dënon gjenocidin serb duke thënë se Kosova nuk mund ta shpërblej Serbinë me territorin e saj. "Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte" - tha Osmani.

"Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës. Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë.

Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh. Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdokund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim" - tha Osmani.

Teksa foli për njohjen e Kosovës nga Serbia, Osmani tha se fillimisht duhet të njihet e vërteta e të shkuarës mes këtyre 2 vendeve dhe të vendoset drejtësi për ta.

"E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull poashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet" - u shpreh presidentja në detyrë.

Osmani nënvizioi gjithashtu se Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Sipas saj vendosja e çdo barriere komunikimi mes dy vendeve është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe marrëdhënieve ndërshtetërore mbarëshqiptare.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, teksa ka prezantuar znj. Osmani para se të merrte fjalën është shprehur se e vërteta është një dhe vetëm një: Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. "Këtë të vërtetë pritet të konfirmojë edhe Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili është konstituuar dhe ka filluar nga puna", tha ai.

Gjatë ditës së djeshme, Osmani zhvilloi një takim me Presidentin Ilir Meta si dhe mbajti një fjalim. Ajo tha se projekti i minishengenit nuk ndihmon Kosovën dhe Shqipërinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:06
Mesazhi i Vjosa Osmanit në Kuvend: Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria (VIDEO)

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë, Ushtruesja e Detyrës së Presidentit të Kosovë, Vjosa Osmani, dha mesazhe shumë të forta.

Osmani tha se Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Sipas saj vendosja e çdo barriere komunikimi mes dy vendeve është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe marrëdhënieve ndërshtetërore mbarëshqiptare.

"Rinia briliante në Shqipëri dhe Kosovë janë potenciali më i madh dhe detyra jonë është t'i mbështesim. Të punojnë bashkë të gjithë, si dy shtete, si populli më paqedashës.  

Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Vendosja e çdo barriere komunikimi është kundër lëvizjes së lirë dhe marrëdhënieve ndërshtetërore mbarëshqiptare

Eurditi ynë i madh Faik Konica përmbledh më së miri kur thotë: 'të përpiqemi me të gjitha forcat tona të ndalojmë shqiptarët për dashurinë për individin., Ato duhet të duan Shqipërinë'

Të ecim drejt një Kosove dhe Shqipërie ku rinia jonë krenohet me ne për vendimet që i marrim ne, si përfaqësues të tyre", tha ndër të tjera znj. Osmani.

 

Ora 12:50
Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë/ Gramoz Ruçi: E vërteta e madhe e luftës së UÇK dhe popullit të Kosovës do të mbrohet deri në fund (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, teksa ka prezantuar Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mban një fjalë përshëndetëse në seancën e sotme plenare, u shpreh se drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës  do të dinë ta mbrojnë të vërtetën e madhe të luftës së Kosovës  përballë drejtësisë dhe do të venë në vend  nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes.  

"Të nderuar deputete e deputetë, Sot në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë kemi një mike të veçantë, Kryetaren e Kuvendit, Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës, zonjën e nderuar Vjosa Osmani. E nderuar zonja Osmani, Ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë.

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, që, për shkak të rrethanave të pandemisë, e ndiqni këtë seancë në mënyrë virtuale. Zonja Vjosa Osmani, kjo bijë e Mitrovicës dhe e Kosovës, është një politikane e re, energjike dhe e respektuar.  

Ajo është shquar ndër profesionistët dhe profesionistet e reja të Kosovës, si juriste dhe njeri i ligjit, e diplomuar ekselente në Universitetin e Prishtinës dhe të Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara, dhe me një karrierë të spikatur si profesore e së drejtës. Prej muajit shkurt të këtij viti është zgjedhur Kryetare e Kuvendit dhe, prej fillimit te muajit nëntor, është Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës.

Rrallë ndodh që një politikan, për më tepër një politikane, në moshë të re dhe në fillimet e karrierës politike, të mbajë përgjëgjësi kaq të mëdha dhe barrë kaq të rënda për shtetin dhe popullin e vet.  Për këtë keni të gjithë simpatinë e mbështetjen tonë.

E nderuar zonja Osmani, Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë në një periudhë zhvillimesh dramatike për Kosovën dhe prestigjin ndërkombëtar të saj.

Thirrja në Dhomat e Specializuara në Hagë e personaliteteve të larta të shtetit, ish Presidentit Hashim Thaçi, ish Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetar i Partisë Demokratike, z. Kadri Veseli, ish Kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, dhe Kryetarit te Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosja, z. Rexhep Selimi, është një sfidë që duhet përballuar me durim, kurajo, vizion, profesionalizëm, koherencë qëndrimesh dhe solidaritet politik e kombëtar.

Kuvendi i Shqipërisë, të gjithë shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e botës që janë në anën e të drejtës, të vërtetës dhe të paqes, janë sot në mbështetje të tyre, janë në mbështetje të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë në anën e Kosovës dhe të popullit të saj.

Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Populli kosovar dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Në gjykimin për të vërtetën, gjithkush mund të ketë interpretimet e veta, por jo faktet e veta. E vërteta është një dhe vetëm një: Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Këtë të vërtetë pritet të konfirmojë edhe Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, i cili është konstituuar dhe ka filluar nga puna.

Ne jemi të bindur se drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës  do të dijnë ta mbrojnë këtë të vërtetë përballë drejtësisë dhe do të venë në vend  nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes", Tha Ruçi.

E.M./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut