Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vdekjen e tre shqiptarëve të Kosovës në kantierin e ndërtimit në Vjenë. Përmes një telegrami ngushëllimi, ajo shpreh se tragjedia ka lënë dhimbje jo vetëm te familja, por te të gjithë.

Osmani thotë se e ndan dhimbjen me ta dhe lutet të gjejnë forcë në këtë moment të vështirë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë. Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne.

Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”, shkruan presidentja.


Lajmi kryesor:

Të varrosur për së gjalli nën beton! Dalin detajet tronditëse nga tragjedia që u mori jetën tre shqiptarëve në Vjenë