Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia në Vjenë, Alsergrund që u mori jetën tre shqiptarëve të Kosovës dhe një boshnjaku. Gjatë punimeve në një kantier në Porzellangasse, skela u shemb dhe ata mbetën nën rrënoja e betonin ende të pangurtësuar, raporton Heute.
Ndihma erdhi shumë vonë dhe të katërt humbën jetën. Një punëtor tjetër, për të cilin thuhet se është nga Maqedonia e Veriut, u plagos rëndë dhe iu dorëzua shërbimit të urgjencës. Ai vazhdon të trajtohet në një spital në Vienë.
Një banor i zonës tregoi për “Kronen Zeitung” momentet dramatike menjëherë pas shembjes: “Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Më pas u ndezën sirenat.”
Betoni i pangurtësuar u hoq me dorë
Zjarrfikësit kanë thënë se punimet për shpëtimi e tyre ishin jashtëzakonisht të vështira. Oborri i ngushtë e vështirësoi ndjeshëm qasjen tek të bllokuarit. Niveli i alarmit u rrit shpejt në 2 dhe u kërkuan forca shtesë.
Për të arritur tek punëtorët, fillimisht u krijuan disa hyrje. Gardhe dhe dyer u hoqën, ndërsa ekipet filluan të largojnë pjesët e shembura të skelës dhe formimit, si dhe armaturat e hekurta. Veçanërisht i vështirë ishte largimi i betonit ende të lëngshëm që u krye me dorë.
Rreth 120 forca me rreth 30 automjete të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile ishin në vendngjarje.
Qentë kërkuan nën rrënoja
Gradualisht u nxorën dy nga punëtorët e bllokuar, por u konstatuan të vdekur. Për të nxjerrë dy viktimat e tjera, duhej të hiqeshin pjesë të tjera të rrënojave të bllokuara. Vetëm pas kësaj ishte e mundur të vazhdohej largimi i betonit që tashmë po ngurtësohej. Rreth dy orë e gjysmë pas fillimit të ndërhyrjes, edhe dy të tjerët u nxorën të vdekur.
Ambasada e Kosovës në Austri ka reaguar zyrtarisht duke konfirmuar se Pajtim Barjami, Asllan Musli dhe Istref Zekaj ishin qytetarë të Kosovës.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Në të njëjtën kohë, jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për tragjedinë në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku humbën jetën katër persona, tre prej tyre shqiptarë të Kosovës.
Ai ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe të prekurit. Gjithashtu, bën me dije se vijon komunikimi me ambasadën në Vjenë për të ofruar mbështetje.
“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në postimin e Kurtit.
Komente







