Trajneri i KF Tiranës, Ardian Nuhiu doli në konferencë për mediet para sfidës së Kupës së Shqipërisë kundër Skënderbeut. Të shtunën (nesër 13:00) bardheblutë kanë përballë korçarët e Ernest Gjokës, me ndeshjen që vlen për fazën e 1/8 dhe është me një takim.

Tekniku u ndal te ecuria negative e gjysmës së parë të sezonit, aty ku Tirana e sheh vete në vendin e fundit në renditje. Ai ceku edhe merkaton, duke thënë se Ernest dhe Xhixha (dy afrimet e fundit) kanë cilësi. Sipas tij Tirana pret edhe '2-3 koka'.

Skënderbeu? Kemi analizuar kundërshtarin me shumë kujdes, pozicionin në të cilin është flet mjaftueshëm për një skuadër të organizuar, stabile me lojtarë që janë për një kohë të gjatë bashkë. Edhe në aspektin taktik qëndrojnë shumë mirë bashkë, kanë ide të qarta, por edhe dalje të shpejta në tranzicion.

Merkato? Padiskutim jemi munduar të sjellim sa më shumë informacione për skuadrën tonë, kemi sjellë prurje të reja. Me drejtuesit kemi punuar jashtëzakonisht shumë, jemi munduar të ruajmë grupin që kishim në ndeshjet e fundit, të ruajmë mentalitetin apo shpirtin garues të grupit dhe me prurjet e reja është shtuar cilësia për të bërë një ndeshje me intensitet, të jemi të kujdesshëm por edhe të dalim te mënyra e lojës.

Kupa? Është Tirana, Kupa është e rëndësishme, por çdo ndeshje për ne është si një finale, ta luajmë sikur të ishte e fundit apo që na sjell trofe po u futëm me këtë qasje dhe mentalitet përballë çdo kundërshtari atëherë besoj tek të dyja për ecuri pozitive.

Afrimet e tjera? Drejtuesit po punojnë për të sjellë edhe 2-3 koka në skuadër, jam i përqëndruar te ndeshja e nesërme, mua si trajner më takon ta përgatis për nesër por edhe për kampionat, për prurjet vendosin drejtuesit, po bisedojnë për 2-3 koka.

Xhixha dhe Ernest janë futbollistë cilësorë, po përditësohen, ngelet përgatitja fizike sepse e dimë që kanë qenë edhe festat, futbollistët kanë qenë pushim, duhet të jemi të kujdesshëm me gjithsecilin që të mos shkojmë te ndonjë dëmtim, gradualisht po mundohemi t'i përgatisim dhe t'i përshtatim me grupin”, tha Nuhiu.

Redon Xhixha, Emmanuel Ernest, Patrik Myslovic, Johan Enrique Cortes Alfaro dhe Freddy Antonio Alvarez Rodriguez janë afrimet e Tiranës këtë merkato janari, ndërsa bardheblutë kanë shkëputur kontratat me dhjetë futbollistë.