TIRANE - Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka denoncuar sot presionin që po u bën qeveria tregtarëve dhe përfaqësuesve të biznesit, “për t’i detyruar të mbyllin gojën përpara gjendjes së rënduar ekonomike në të cilën ndodhen”. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të PS-së, gjatë takimeve që përfaqësuesit socialistë kanë zhvilluar në zonën e Kinostudios, vetë tregtarët kanë denoncuar një djalë të ri i cili me një aparat fotografik profesional qëndronte pranë grupit të deputetëve dhe fotografonte tregtarët.

“Në momentin që nga ana e deputetit Xhafaj iu kërkua të identifikohej nëse ishte gazetar apo jo, i riu u largua me shpejtësi nga grupi. Më pas banorë të zonës thanë se ai ishte një person që punon në zyrën e përkrahjes ekonomike në Njësinë Bashkiake Nr.4 dhe se ishte dërguar aty nga kreu i kësaj njësie për të fotografuar se kush nga tregtarët do fliste me përfaqësuesit socialistë, por njëkohësisht edhe t’u bënte presion atyre për pasojat që do të kishin nga ky veprim”, thuhet në një njoftim për shtyp të PS-së.

“Ajo që më bëri përshtypje sot - tha deputeti Fatmir Xhafaj duke komentuar episodin - një detaj që desha ta sjell në vëmendjen tuaj është fakti se pashë një person, një fotograf që ishte fotografi i Sali Berishës, i cili me aparat në dorë kishte ardhur të fotografonte këta tregtarë, për t’u bërë presion nesër. Sepse kjo qeveri nuk i ndihmon thjesht ju bën presion dhe i rrjep. Pikërisht ai fotografi dhe ato listat janë simboli i kësaj qeverie, i varfërisë dhe i dhunës që ushtron përditë mbi njerëzit e thjeshtë, mbi tregtarët të cilët përballen dy herë, nga një anë me dhimbjen dhe nga ana tjetër me presionin e madh të shtetit mbi ta”.

(im/shqiptarja.com)