Përveç ngritjes së nivelit të procesit negociator, në të cilin në vend të Naumovskit dhe Vasilakisit, me ndërmjetësin Nimic drejtpërdrejt do të komunikojnë shefat e diplomacive, dy kryeministrat vendosën që të ndërmarrin hapa me të cilët do ta tregojnë vullnetin e mirë për zgjidhjen e kontestit.
Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se Qeveria do ta ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i RM-së, shkruan Alsat.
Si kundërpërgjigje, Qeveria e Greqisë, siç paralajmëroi Ciprasi, menjëherë do të mbështesë anëtarësimin e Maqedonisë në Iniciativën e Adriatikut dhe Jonit, ndërsa Parlamenti grek do të japë dritë jeshile për kalimin në fazën e dytë nga Marrëveshja për Asocim-Stabilizim, e cila është e bllokuar që nga viti 2009. Ciprasi theksoi se ekziston vullnet për zgjidhjen e emrit edhe atë në mënyrë pragmatike, me ndjenjë të përgjegjësisë duke mposhtur iredentizmin në të gjitha format e tij.
Duhet doemos të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, me qëllim që të realizohet ajo që e dëshiron fqinji jonë, asocim në BE dhe anëtarësim në NATO. Prandaj, duhet doemos të gjejmë zgjidhje të përbashkët të pranueshme erga omnes. Prandaj, vendosëm të intensifikojmë procesin negociator i cili është duke u zhvilluar nën patronazhin e OKB-së dhe të gjejmë zgjidhje për emrin – tha Aleksis Cipras, kryeministër i Greqisë.
Dy kryeministrat konsiderojnë se ka ardhur koha të hapet një kapitull i ri në marrëdhënies jo vetëm mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe në fokus të jetë agjenda e miqësisë dhe bashkëpunimit, duke u dhënë fund tensioneve dhe nacionalizmave që e rëndonin rajonin në të kaluarën. Greqia, siç paralajmëroi kryeministri grek dëshiron të jetë lider rajonal, që do të ndihmojë stabilizimin, sigurinë, prosperitetin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ndryshe, tashmë është paralajmëruar se deri në fund të muajit në Shkup dhe në Athinë vjen ndërmjetësi Nimic, i cili do të duhej t’i konsolidojë perceptimet fillestare të pakos së ideve që i propozoi në takimin e fundit në Nju-Jork.
d.b/shqiptarja.com