Deputetja socialiste Marjana Koçeku ka ndarë në rrjetet sociale lajmin se revista prestigjioze gjermane Die Zeit i ka kushtuar një reportazh të veçantë nismës “Neomalsore” dhe jetës pranë liqenit të Komanit.

Në postimin e saj, Koçeku shprehet se kjo nismë nuk ka qenë thjesht një sipërmarrje personale, por një mënyrë për t’i qëndruar besnike vendlindjes dhe për të treguar se zhvillimi mund të vijë pa shkatërruar identitetin dhe shpirtin e zonës.

Reagimi i deputetes Marjana Koçeku:

Jam shumë e lumtun me nda me ju lajmin se nji prej revistave ma të randësishme europiane, Die Zeit @zeit (ZEIT Magazin), i ka kushtue nji reportazh të veçantë nismës “Neomalsore” dhe jetës afër liqenit të Komanit.

“Neomalsore” për mue s’ka kenë thjesht nji sipërmarrje, por nji mënyrë me i qëndrue besnike vendit tem dhe me tregue se zhvillimi nuk duhet me e shkatërrue shpirtin e nji zone.

Me fotografi mahnitëse dhe me nji rrëfim thuejse poetik, artikulli e përshkruen Komanin si “nji ndër vendet ma magjepsës të Shqipnisë”.

Nji tjetër fjali që më ndali gjatë ishte: “Ky vend asht aq i bukur sa pothuej dhemb”.

Asht gjithëherë e çuditshme kur e sheh jetën dhe vendin tand të rrëfyem prej dikujt që shkruen prej larg. Se ajo çka për ty asht krejt e zakonshme, në sytë e dikujt tjetër vjen si nji formë e rrallë bote që ende nuk asht zhdukë.

E kjo më ban krenare dhe emocionale njikohësisht.