Pret Godó-në dhe… vjen sërish Berisha

Pret Godó-në dhe… vjen sërish Berisha

Sali Berisha

Nëse nuk do ishin rrjetet sociale nuk do dinim kurrë qëndrimet e atyre pak njerëzve të Partisë Demokratike, që janë shprehur siç duhet për humbjen.

Përveç aty-këtu ndonjë rasti sporadik në të shumën e herës ka vetëm justifikime dhe si zakonisht fenomenin e zakonshëm tek ne: Zgjedhjet u vodhën dhe u manipuluan. Vetëm se atje, ku kandidatët e Foltores, fitues apo humbës kanë shtrënguar duart me kundërshtarët është treguar se në këtë formacion ka realisht individë, që e duan këtë parti dhe që japin shpresë.

Edhe Belind Këlliçi, ish-kandidati i BF-së për kryeqytetin pas një justifikimi të gjatë e ka gjetur një pasazh, ku ka treguar se: “Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë. Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh.

Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari”…. Me indiferentizmin e vet, paqartësinë por edhe mefshtësinë e saj, znj. Tabaku, që e tregoi më së miri në momentin kur PD-ja legale duhet të tregonte se çfarë duhej të bënte me zgjedhjet, gjithsesi e ka gjetur deri diku një përgjigje më të drejtë: “Në çdo kuti votimi nga Vermoshi në Konispol, mesazhi i shqiptarëve dhe demokratëve është i qartë; Ne duhet të pranojmë gabimet tona duke e përdorur krenarinë tonë për të ndërtuar një PD ndryshe dhe jo për të mohuar faktet!

Askush nuk mund te mohojë problemet me zgjedhjet si krimi, korruptimi, blerja e votës, presionet. Por ndryshe nga çdo herë tjetër duhet të bëjmë së pari një vështrim nga vetja!” Por, nga struktura e BF-së nuk gjen përgjigje ose reflektim, ashtu si nga PD-ja legale, që ia ka drejtuar gishtin e fajtorit vetëm Berishës. Ata që zhurmonin në radhët e opozitës tashmë do kapen ngushtë mbas parregullsive, paçka se raportet e huaja dhe vendase, që do t’i dokumentojnë ato, do të jenë shumë më të qarta.

Ndërkohë që po numërohen dhe vendet e Këshillit Bashkiak, por është i njëjti peizazh dhe më mirë se kushdo këtë realitet e kanë para syve tashmë politikanët e PD-së, së dy krahëve. Është humbur energji e madhe duke u marrë me ta për javë e muaj të tërë, ndërkohë që vetë PD-ja e dy krahëve komunikon aspak normal me kolegët e terrenit, përpos arrogancës sikur të jenë të kalcifikuar në pushtet prej vitesh dhe mu sikur t’i kishin përfaqësuar si duhet njerëzit.

Në fund, për shkak të rëndësisë, Berisha i vuri vulën pak orë më parë me ligjërimin e tij dhe përballjen, duke na treguar se do të veproj sipas statutit që do ti kërkojë votëbesimin. Por, kujt statuti vallë?-Atij që e bëri lëmsh formacionin e tij, apo atë dokument që nuk do t’ia di as për dekriminalizimin. Këtu kupton tashmë: Nëse besohej nga individë dhe qarqe se PD-ja do të ndryshonte tashmë realizon se vetëm forma do të modifikohet, ndërsa PD-ja berishiane do të mbetet ajo që ishte: e lënë pas historisë dhe nga njerëz që e kanë mbyllur bashkë me të udhën politike. “Duke pritur për Godó-në” e Beket shpesh përshkruhet si shfaqja, ku veprimi dramaturgjik nuk ndodh asnjëherë dy herë.

Akti i dytë përsërit gati të njëjtën gjë me atë që ndodh në Aktin e Parë: Vladimiri dhe Estragoni kalojnë kohën duke pritur Godó-në e pakapshëm, Laki dhe Pozo kthehen dhe më pas largohen, derisa befas vjen dikush me mesazhin se: Godó nuk do të vijë në atë ditë. Fabula dihet: kemi një përshkrim të natyrës së pasens, ku nuk ndodh asgjë, ku s’ka ngjarje dhe ku shpesh po jetohet në pritje të diçkaje që nuk do të realizohet kurrë. Është pra, gjithmonë vetëm “nesër”. A ka më mirë se kjo gjendje për të përshkruar PD-në? Vetëm se në fund të dramës, që po kthehet në farsë të gjithë…. Presin Godó-në, por na shfaqet sërish e sërish… Berisha.

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Lindi 1750 gramë, Raina e vogël fiton betejën për jetën në maternitetin 'Mbretëresha Geraldinë'

Lindi 1750 gramë, Raina e vogël fiton betejën për jetën në maternitetin 'Mbretëresha Geraldinë'