Pretendimi i PD se efektivi i FNSH u nxori armën, AMP nis verifikimet! Burime: Nuk ishin të armatosur (VIDEO)
AMP nis verifikimet pas pretendimit të PD se një efektiv i FNSH u nxori armën. Burimet thonë se ka rezultuar se polici nuk ka qenë i armatosur. Polemikat vijojnë ende se kush e dha urdhrin për të ndërhyrë FNSH në oborrin e Kuvendit, ku ende ishin deputetët e PD.
TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet menjëherë pas pretendimit të Partisë Demokratike se një efektiv i FNSH u nxori armën dy deputetëve të PD, Bledion Nallbati dhe Luan Baçit, gjatë përplasjes në oborrin e Kuvendit. AMP nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar, por burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se nga verifikimet ka rezultuar se efektivi Altin Muço nuk ka pasur armë me vete në momentin e përplasjes.
Por, polemikat vijojnë ende për ndërhyrjen e FNSH në oborrin e Kuvendit dhe se kush u dha urdhrin për të ndërhyrë. Burime nga Garda thonë se nuk kishin kërkuar ndihmën e policisë, por ka qenë një oficer i ri që ju ka hapur portën policëve që i kishin thënë se kishin ardhur për protestën që opozita mbante para Parlamentit.
Jo zyrtarisht, Garda thekson se kjo ishte një ndërhyrje e parregullt, pasi vërtetë policia ka ndërhyrë në oborr kur ka pasur protesta, por kjo ka ndodhur kur godina ka qenë bosh, e jo kur aty ka deputetë.
Garda dhe Policia do ta hetojnë këtë rast për të parë se kush shkeli rregullat dhe krijoi situata të interpretueshme, ndërsa ende nuk kanë reaguar zyrtarisht për të dhënë një sqarim se si FNSH u fut në oborrin e Kuvendit. Pasi, ndërhyrja e FNSH në oborrin e Kuvendit, ku ende ishin deputetët e PD, krijoi një përplasje të ashpër fizike mes tyre.
Dinamika e përplasjes
Gjithçka nisi pas përfundimit të seancës plenare, ku të përjashtuarit nuk u lejuan të futen në sallë. Më pas militantët e PD që po protestonin te Bashkia e Tiranës u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit. Aty protestuesit i përplasën me policinë duke tentuar të hapin derën për t’u futur në Kuvend. Nga ana tjetër, FNSH u fut nga pjesa e pasme e Kuvendit, ndërkohë që brenda në oborr ishin ende deputetët e opozitës. Pas përplasjeve të ashpra, FNSH u largua nga ambientet e Kuvendit edhe pas ndërhyrjeve të Gardës.