Prezantimi/ Dy poete në mbrëmje
poetike franko-shqiptare në Paris

Prezantimi/ Dy poete në mbrëmje<br />poetike franko-shqiptare në Paris
Më 20 prill 2016, në një nga sallat e Bashkisë së Parisit 7, shoqata kulturore franko-shqiptare “ALBANIA” organizoi një mbrëmje poetike me dy poete të ftuara: Rita Petro dhe poetja e njohur franceze Laure Cambau. Një mbrëmje kjo në vijim të asaj të organizuar kohë më parë në Tiranë me të dy poetet. Publiku francez u njoh kësaj rradhe me librin L’Origine apo në shqip Vrima të poetes Rita Petro, të botuar nga shtëpia e njohur botuese “L’Harmattan” si dhe libri i Laure Cambau E bardha pa të bardhë, (Blanc sans blanc) e botuar në shqip nga “Albas” në Tiranë, libra këto që të dy të përkthyer nga Luan Rama.

Mbrëmja poetike e Parisit u hap me shfaqjen e një pjese të baletit të njohur Penetrimi i shpirtrave, një video që zbuloi para publikut franko-shqiptar interpretimin koreografik të poemës së gjatë të Rita Petros. Po kështu, poezitë e Laure Cambau u shoqëruan me imazhe nga tablotë e mjeshtrit të njohur Omer Kaleshi që prej 50 vjetësh jeton në Paris. Pas leximit të poezive në frëngjisht por dhe në shqip, ajo që e bëri akoma më interesante debatin poetik ishte diskutimi i hapur rreth botimit të librit të Rita Petros në Shqipëri dhe debatit të hapur në mediat shqiptare. Të pranishmit, letrarë, artistë, studiues, përshëndetën kurajon e kësaj poeteje, duke pyetur rreth zanafillës së krijimit të saj, për çka poetja shqiptare theksoi se gjithçka ishte shprehje e universitetit të lirë, të përjetimit personal e poetik, pa kërkuar aspak të marrë rolin e një misioni emancipues për shoqërinë.

Profesorja e Akademisë së Versajës, Fulvia Stepani, vlerësoi në mënyrë të veçantë gjetjen origjinale të kësaj poeme të gjatë jo vetëm erotike por dhe tepër humane. Në fjalët e asaj ajo theksoi se “Gjenialiteti i poetes qëndron pikërisht në vendosjen e erotizmit jashtë sistemit kartezian, duke e thjeshtuar kuptimin dhe përjetimin e tij. Aty ku dimensionet modelohen, nënvetëdija është në simbiozë me vetëdijen, ku kënaqësitë bëhen "mbret" dhe perceptimet hyjnore. Aty ku jo gjithkush mund të hyjë... Në librin “Vrima” prezantohet seksualiteti në dialektikën dhe sfondin filozofik kompleks të tij, duke krijuar dhe një farë aksi horizontal të të kuptuarit në vazhdimësi. Për t’u theksuar në vepër është trajtimi i sexualitetit në të pesë format e tij: sexualiteti gjenital, ai me evidenti; seksualiteti pulsional, kënaqësitë e përditshme; seksualiteti ideal, nxitur nga premtime e dëshira të pamundura; seksualiteti i Unit, që manifestohet gjatë ëndrrave; seksualiteti fondamental, që vendos për aksionet tona...”

Nga ana e saj, poetja franceze Anne Lefebre, e cila shprehu dëshirën të shkruajë një vështrim kritik rreth kësaj poeme, theksoi jo vetëm kurajon poetike por ishte e interesuar se çfarë impakti pati kjo vepër në shoqërinë shqiptare, duke shpresuar se ka lëvizur diçka nga mendësia mbi gruan, seksualitetin, erotikën dhe atë çka është më e rëndësishme, njerëzoren, atë çka përjetojmë çdo ditë në jetën tonë. Edhe poeti i njohur Marc Delouze, i cili e ka ftuar vite më parë Rita Petron në Festivalin poetik mesdhetar të Lodevës, përshëndeti artin poetik të Rita Petros. Nga ana e saj studjuesja dhe përkthyesja Violeta Abazaj theksoi se kemi të bëjmë me një ngjarje të veçantë dhe një vepër jo të zakonshme. Interes publiku tregoi dhe rreth përkthimit të të dyja poeteve nga shqipja në frëngjisht dhe nga frëngjishtja në shqip, për çka Luan Rama u shpreh se dashuria për poezinë dhe vetë shkrimi i poezive të ndihmon t’u japësh poezive një muzikalitet të veçantë në përcjelljen në një gjuhë tjetër.    


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri