Ambasador Gaiani,
I Nderuar zoti Denk,
Kam kënaqësi të jem këtu sot për të prezantuar fillimin e një iniciative të re kundër korrupsionit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që do të sigurojë mbështetje të mëtejshme të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera në luftën kundër korrupsionit. Siç u pranua në forumin që u mbajt javën e kaluar kundër korrupsionit, Shqipëria duhet të marrë masa më të thella, të qëndrueshme dhe të harmonizuara në luftën kundër korrupsionit.
Ne të gjithë e dimë se korrupsioni nuk mund të luftohet nga një institucion i vetëm. Nevojitet angazhim politik, bashkëpunim dhe ndërveprim ndërmjet një game të gjerë aktorësh, si qeveria, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit, për të luftuar korrupsionin në sektorin publik.
Duke ditur ndikimin e qartë të korrupsionit në sigurinë ekonomike dhe sociale dhe në stabilitetin afatgjatë të një vendi, lufta kundër korrupsionit është prioritet për Prezencën e OSBE-së. Që nga viti 2007, ne kemi mbështetur aktivisht qeverinë, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile për të zbatuar parime dhe qasje të mira në qeverisje, si një mënyrë për të luftuar korrupsionin. Projekti i prezantuar sot mbështetet financiarisht nga qeveria italiane, përmes Kooperacionit Italian për Zhvillim, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës Kombëtare të Administratës Publike të Italisë.
Projekti do të jetë pjesë përbërëse e ndërhyrjeve shumë-dimensionale të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit. Ai do të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe gjithëpërfshirëse Kundër Korrupsionit dhe të Planit të Veprimit. Projekti do të bazohet në tre shtylla kryesore veprimi: Së pari, përmirësimi i kapacitetit të administratës publike. Së dyti, rritja e angazhimit të sektorit privat. Dhe së treti, kontribut për të ndryshuar perceptimet në lidhje me korrupsionin, veçanërisht ndërmjet të rinjve.
Për sa i përket shtyllës së tretë, Prezenca po asiston aktualisht ngritjen nga qeveria të Zyrës Operacionale për Denoncimin e Korrupsionit. Kjo zyrë e re do të ketë një rol thelbësor në suksesin e fushatës së ndërgjegjësimit që u prezantua nga Ministri Çuçi në 10 dhjetor. Projekti i Prezencës së OSBE-së do të mbështesë fushatën e qeverisë, e cila do të kontribuojë në ndryshimin e qëndrimit të qytetarëve ndaj korrupsionit dhe do t’i ndihmojë ata të ushtrojnë presionin e nevojshëm për mirëqeverisje.
Është e rëndësishme që qeveria të inkurajojë një partneritet të vërtetë me shoqërinë civile, median dhe qytetarët në hapat që merren kundër korrupsionit. Të gjithë këta aktorë duhet të mobilizohen për të punuar së bashku me qeverinë dhe komunitetin ndërkombëtar për të lehtësuar marrjen e masave të integruara dhe të koordinuara në luftën kundër korrupsionit. Një problem i gjerë kërkon zgjidhje tërësore. Projekti ynë do të mbështesë pikërisht gjetjen e kësaj zgjidhjeje.
Faleminderit!