Prezantimi i ministrit Ahmetaj në dalejn për mediat me ekspertin e FMN-së

Po ndaj me ju performancën e të ardhurave për 4-mujorin. Rritje konstante të të ardhurave buxhetore në total dhe të ardhyrat nga tatimet, doganat dhe sigurimet.
Konsumi privat, është bërë legjendë urbane tashmë. Bazuar në raportin e fundit të BSH, konsumi privat vlerësohet të jetë rritur edhe gjatë tre mujorit të parë të vitit 2016 dhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar u rritën me 10.8%, kuptohet një indikator i drejtpërdrejt I vlerës së shtuar në ekonomi. Bizneset e reja, është interesante që në janar-maj 2016 janë 9849 biznese, një rritje prej 24%, krahasuar me vitin e kaluar. Nuk e kemi efektin e betejës anti-informalitet që do të quhej sikur qe deformuar, pra jemi bazë më bazë, e krahasuar në mënyrë të drejtë.Kemi një rritje të bizneseve të huaja, pra ajo fabula politike që janë larguar investitorët thjeshtësisht rrëzohet nëpërmjet shifrave, janë 680 biznese të huaja me kapital 100% të huaj apo të përbashkët. Siç e shikoni ka një momentum në aktorët ekonomikë në numrin e ndërmarrjeve, shumë shpejt del dhe Indeksi i Ndërmarrjeve, i cili është shumë pozitiv në informacionin tim operativ.Punësimi, besoj është interesant për të ndarë me ju se çfarë po ndodh me punësimin. Është rritur punësimi me 4.8% dhe forcat e punës me 4.3 % ndërsa vlera e papunësinë është17.1%. Pra për grupmoshat 15 vjeç e lart punësimi është rritur me 4.8%  dhe papunësia është 0.4% më e ulët e krahasuar me vitin 2014. Dikush mund të thojë që 0.4% nuk është asgjë, mos harroni se 0.4% janë familje dhe qytetarë shqiptarë që kanë gjetur punë, nuk është një përqindje, janë krijesa njerëzore që kanë gjetur punë. Sigurisht norma mbetet e lartë, por tendeca duket në ulje dhe jam I bindur që edhe me përmirësimin e klimës së biznesit, janë të lidhura, sigurisht që ajo trajektore ulëse e papunësisë do të vazhdojë.
Ju kam sjellë konsumin edhe nominal, por ju kam sjell dhe dy tremujorët e fundit të 2015, ku konsumi privat vjen në rritje. Duke përfshirë dhe tremujorin e parë të këtij viti, do të kemi 3 tremujorë konsekutivë me rritje të konsumit privat, është një shenjë shumë e mire, e pamjfatueshme patjetër, por është një shenjë shumë e mirë e besimit në ekonomi.  Dhe dua ta theksoj që konsumi i popullatës përfaqëson 78% të kërkesës së brendshme.
Ju kam sjellë edhe inflacionin. Dua t’ju jap dhe një shifër interesante të nxjerrë nga raporti i fundit i BSH: nëse inflacionin e grupit të ushqimeve ne e kemi gati 1.2%, Rajoni e ka -0.6%, dhe e kam theksuar dhe në Parlament, po e ndaj dhe me ju që jeni gazetarë më eksperiencë në fushën e ekonomisë, që është goditje e ofertës, pra ka të bëjë me importimin e çmimeve të ulëta, jo vetëm të naftës, por dhe produkteve ushqimore, etj dhe besoj që do të vijë gradualisht në një rritje normale, ka shenja të rritjes të çmimit të naftës.
Çmimi i energjisë elektrike i cili ka pësuar rënie me 30%,është një lajm shumë i mire për ta mbajtur përtej politikës. Besoj se është një lajm i mirë për këdoqoftë për uljen e çmimit mesatar.
Më tej po ju drejtoj tek eksporti i vitit 2016, që ka dhënë shenjat e para shumë pozitive, po ta shikoni në volum për tremujorin e parë. Pra në debatin e konsumit, morëm volumin qoftë të eksportit qoftë të importit dhe po ta shikoni eksporti në volum është rritur 4. 35% në tremujor, me shenjat e para të eksportit në prill kemi një rritje vjetore prej 1.5%, gjë që është jashtëzakonisht shumë pozitive.
Nga se vjen? Mos harroni se këtu nuk kemi akoma influencën e eksportit të lëndëve minerare dhe atyre djegëse për shkak të çmimeve ndërkombëtare, imagjinoni kur ato çmime të stabilizohen në një nivel pakëz më të lartë, kuptohet që reflektimi në eksporti do të jetë I drejtpërdrejtë.
Tek importi ka një rritje të konsiderueshme prej 17.2% duke ditur që ju jeni shumë të vëmendshëm në detajet dhe do të kishit ngritur nëse është efekti i TAP?! E kam hequr TAP nga importet dhe përjashtuar TAP, importet janë rritur me 7%, pra shenjat në ekonomi, në këndvështirmin tim,janë  shumë positive.
Kredia dhe depozitat janar- mars 2016. Kredia konsumatore njeh rritje prej 12.6 përqind që është shumë positive. Nëse do të vazhdojë kështu, do të kemi konsolidim të konsumit në të gjitha kategoritë e konsumit besoj. Ndërkohë vazhdojmë me kredinë e re mujore për ekonominë, janar-prill siç e shikoni krahasimin me rritjen modeste, por trendi është shumë i rëndësishëm .Kredia për biznesin është modeste, por trendi është pozitiv.
Kam sjellë sërish vlerësimin e Bordit të FMN ku thotë se rimëkëmbja ekonomike po konsolidohet, unë jam shumë i lumtur që t’ju them se dhe pranvera e këtij viti shënon lënien mbrapa të krizës ekonomike, nuk po lexoj atë të pjesën ku thotë progres mbresëlënës shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe vendosmëria e qeverisë është e lavdërueshme.
Dy fjalë për ligjin organik të buxhetit. Me kënaqësi ndaj me ju që dje kemi kaluar në Komision, ndryshimet në ligjin organik të Buxhetit. Ligji organik i buxhetit është një epokë e re në menaxhimin e financave  publike që mbi të gjitha vendos rregullin fiskal dhe rregulli fiskal është i drejtpërdrejtë: asnjë qeveri me ligj, nuk ka të drejtë të rrisë borxhin, përveçse ka detyrim ta ulë. Pra për herë të parë në ligj , në ligjin organik të buxhetit, shënohet një rregull fiscal.
E dyta që ju intereson shumë përveç procedurave që janë shumë të rëndësishme për menaxhimin e financave publike, kontrollon të gjitha lëvizjet financiare të qeverisë në një vit elektoral, pra nuk ka të drejtë asnjë qeveri të harxhojë në tremujorin e parë më shumë se 30% të deficitit vjetor dhe brenda 6-mujorit të parë jo më shumë se 55 % të deficitit vjetor, besoj se e mbani mend që ne e gjetëm të gjithë deficitin vjetor 0, kur erdhën në korrik 2013. Me këtë nuk i lejojmë asnjë qeverie, që të abuzojë medemek sikur s’e ka mendjen, me financat publike në një vit elektoral.
Dua të ndaj me ju që vendos rregulla shumë të forta për investimet publike, për transparencën e investimeve publike dhe nuk lejon fragmentimin e projekteve, duke detyruar që asnjë projekt nuk mund të futet në buxhet pa pasur të alokuar në vitin korrent 20% të totalit.
Për sa i përket informalitetit, shumë shpejt do të kemi një komunikim publik për paketën e re të procedurave dhe do të ndajmë edhe informacionin për informalitetin, është gjithashtu një paketë që shënon një epokë të re në menaxhimin e administratës fiskale tatimore, ku biznesi merr prevalencë nëpërmjet procedurave.
Faleminderit!
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë