Dashamir Spaho është prezantuar sot si drejtori i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, duke marrë detyrën pas largimit të Gentian Berberit nga drejtimi i policisë së qarkut.

Spaho rikthehet në Shkodër, ku më herët ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të Policisë Vendore, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, ish-drejtori i DVP Shkodër, Gentian Berberi, si dhe drejtues të strukturave të policisë në qark. Gjatë prezantimit, Bizhga vlerësoi përvojën profesionale të Spahos dhe shprehu besimin se ai do të përmbushë detyrat në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, luftës kundër kriminalitetit dhe rritjes së parametrave të sigurisë.

Nga ana e tij, Spaho falënderoi për besimin e dhënë dhe tha se prioritet i punës së tij do të jetë bashkëpunimi me qytetarët, të cilët i cilësoi aleatin kryesor në luftën kundër krimit. Ai u shpreh gjithashtu i gatshëm që së bashku me strukturat e Policisë së Shkodrës të trajtojë me shpejtësi dhe profesionalizëm çdo kallëzim, shqetësim apo kërkesë për ndihmë të qytetarëve.