Ministria e Shëndetësisë prezantoi sot strategjinë e Shëndetësisë 2020 në ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal. Ministrja u ndal dhe te shërbimet e reja që do të implemetohen në vitin 2018.

Plani për spitalet universitare, që të nisin zbatimin e sistemit të patronazhimit dhe bashkëpunimin me spitalet rajonale në vend është gati. Lajmi u dha nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, gjatë strategjisë së Shëndetësisë 2020 në ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal.

“Asnjë spital nuk do të dërgojë pacientë direkt në spitalet universitare, pa ndjekur sistemin e brendshëm referimi dhe pa u konsultuar me mjekët e shërbimit terciar.

Konsultat do te kryhen përmes sistemeve si telemjekësia, përjashtuar këtu rastet urgjente, të përcaktuara qarte në protokollet e miratuara,”
shpjegoj Manastirliun.

Lidhur me urgjencën e zemrës, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se brenda vitit 2019 trajtimi i rasteve synohet të shtrihet në Spitalin Shefqet Ndroqi dhe Spitalin e Shkodrës.

“Gjatë 2018 do të hapim hemodinamikën në spitalin e Fierit për të mbuluar zonën e jugut te vendit, duke krijuar kështu një hartë të re të shërbimeve të kardiologjisë invasive publike”.

"Përmes partneritetit publik privat, nga viti i ardhshëm zgjerojmë gamën e analizave laboratorike në shërbimin publik, nga 20-70 lloje analizash që ofrohen sot, në 164 teste, duke 3-fishuar analizat që do të kryhen falas në spitalet publike,”
tha Manastirliun.

Sipas Ministres Manastirliu,flotës së shërbimit të urgjencës kombëtare do t'i shtohen 35 autoambulanca te reja gjatë vitit 2018.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com