Prifti që i mbijetoi torturave të komunizmit për fenë

Prifti që i mbijetoi torturave të komunizmit për fenë
At Klearko ka kaluar vite të tëra nëpër burgje dhe internime për shkak të besimit të tij fetar. Tërë ato mundime dhe vuajtje, do të duhet t’ia kishin hequr vitalitetin dhe të kishin shtuar rrudhat në portretin e tij, por prifti ishte më i çliruar dhe i buzëqeshur se kurrë. I lindur në qytetin e Vlorës, ky burrë tashmë në të 70- tat, mbart vite të tëra vuajtjeje për të rrëfyer. Sipas banorëve të fshatit, Ati nuk lejon askënd të hyjë në shtëpinë e tij. Është i rezervuar, i heshtur e fjalëpak, por njëkohësisht me dëshirën e madhe për të treguar shumë.

Në sytë e tij të hirtë ndoshta mund të ketë humbur shkëlqimi i rinisë, por me siguri nuk ka shteruar flaka e besimit të verbër. Tek At Kuli, ashtu siç i thërrasin të gjithë banorët e fshatit Dhërmi, mund të dallosh fare qartë vuajtjen e lodhjen për vitet kaluara, që ndoshta shumë prej nesh nuk kanë jetuar. Këtë emër ia kanë vendosur banorët e fshatit si shkurtesë të emrit të tij, për ta afruar më shumë. Ka mjekër të dendur, ashtu si të gjithë priftërinjtë dhe tek-tuk dallohet ngjyra e errët e flokëve të rinisë së tij. Megjithatë, shumicën e sipërfaqes e ka mbuluar tashmë e bardha, e cila në rastin e tij nuk tregon vetëm moshën që tashmë ka ikur. Jeton në vetmi. Ka kohë që nuk meshon më.

Thotë se i pëlqen shumë të qëndrojë në atë shtëpizë në mes të pyllit, ku mund të dëgjojë të gjithë zërat e natyrës teksa harmonishëm ndërthuren. Periudha e komunizmit ka qenë pjesa më e errët e jetës së tij, por që çuditërisht në qoftë se do t’i jepej mundësia do ta përsëriste sërish. Mbi supet e tij ngarkohen vite të tëra të kaluara sa në një burg në tjetrin, sa në një qytet në tjetrin. E pamohueshme është edhe e kaluara e tij, ku shkak ndoshta është bërë rrjedhja nga një familje priftërinjsh dhe ku ndoqi rrugën e të parëve të tij. Torturat në burgun e Spaçit kanë qenë të tmerrshme, ku oficerë e masakronin vetëm sepse bënte kryqin para buke apo sepse lutej gjatë darkave. Përreth tre vjet ka qëndruar në Manastir të Dhërmiut.

Më pas, nga regjimi i kohës u sulmua si të gjithë njerëzit që merresin me teologji. Pyetja e cila i buçet ende në kokë është “Do vazhdosh me Krishtin dhe Ungjillin apo do vish me Enverin dhe Partinë?”. Ngjarje e ndodhur në vitet 1967-1969 kur At Kuli ishte duke kryer vitet e ushtrisë. I ndodhur në këtë situatë e vetmja përgjigje që kishte për ta ishte “kristjan kam lindur dhe kristjan do jetoj”. Me duart që i dridhen tregon shenjat e plagëve të marra nga hekurat, të cilat për pak sa nuk i thyenin kockat. Por ai nuk dinte të ndalonte dhe vazhdonte të hapte kishat që ata mbyllnin, deri në momentin kur u arrestua më 23 prill 1973. Më pas oficerët dhe ushtarët shkuan në shtëpinë e tij, ku dogjën dhe të gjithë librat dhe rrobat. Me një zë më të ulët se zakonisht vijon të rrëfejë persekutimet, ditët e netët pa gjumë, torturat, ofendimet e bëra në emër të një ideali që hidhte poshtë arsyen e formësimit të gjithçkaje. “Mua më luftonin në mënyrë më të veçantë. Çdo dy muaj më fusnin në birrucë në temperaturë -12 gradë Celsius.

Më qëlluan me hekurat gjermane prapa koke, luftohesha se bëja kryqin duke ngrënë para se të flija. Më lidhnin në punë tetë orarëshe në një shtyllë telefoni. Shtrëngonin hekurat me gjithë forcë dhe i lëvizinin poshtë e lartë, të dhimbnin sikur të godisnin duart me sëpatë.” Rrëfente, dhe sytë e tij visheshin nga hija e rëndë e viteve që nuk ishin fshirë nga kujtesa e tij, madje as detaji më i vogël. Ndërkohë, në burg thotë se është njohur me shumë personazhe të cilët dhe sot kanë një peshë të caktuar në jetën politike të vendit. Avokati Spartak Ngjela është një ndër ta. Ati kishte qenë së bashku me të dhe me të vëllain e tij të ndjerë. Për të shprehet me mjaft konsideratë e respekt. “Spartaku ishte njeri i qetë dhe i urtë. Nuk ishte spiun dhe kjo ishte shumë e rëndësishme.” Edhe sot që At Klearko është i lirë nga çdo cënim dhe që jeton në demokracinë e lirë, sërish druhet nga njerëzit dhe veçanërisht nga “spiunët”, të cilët e kanë ndjekur dhe persekutuar për vite të tëra.

Një banore e fshatit shprehet në këtë mënyrë për “priftin martir”, siç e cilëson ajo : “Në fshat kishte një burim të cilin ne e quanim “neranxe”. Atje shkonim për të mbushur ujë të ftohtë drekave apo dhe darkave dhe Atin e gjenim gjithnjë tek një rrap shumë shekullor, i cili krijonte rreth 15 metra. Qëndronte aty duke meshuar dhe lexuar Ungjillin për orë dhe orë të tëra. Kjo kishte ndodhur pas herës së parë kur ai kishte përfunduar në burg. Ndonëse ishte liruar vazhdonte sërish të propagandonte për fenë, madje kemi kryer shumë e shumë mesha të fshehura, të cilat i bënte Kuli, derisa ra sërish në burg”.

Pas daljes më në fund nga burgu dhe fillimit të kohës së demokracisë u kthye në fshatin e tij të origjinës, në Dhërmi, ku së bashku me banorët e tjerë rihapi kishat dhe ndihmoi në rikonstruktimin e atyre që ishin dëmtuar apo rrënuar. “I kalova të gjitha kishat duke meshuar, vajta i pari meshova në Shën Kozma, në Shën Vlash në Durrës, në Tiranë, Kavajë. Pagëzova me qindra vetë në Dhërmi, Himarë, Vlorë, Lushnje etj”. Por gjithashtu ka kontribuar edhe në akte të tjera humane, si në spitale dhe në jetimore rreth moshës 60 vjeçare. Në fshat mbahet mend edhe për veprime të guximshme heroike si shpëtimi i një vajze 15 vjeçare nga mbytja apo të një djali tjetër. Ai me modesti përpiqet ta anashkalojë këtë pjesë, duke thënë se nuk ka bërë asgjë që një njeri tjetër në vendin e tij nuk do ta bënte. Këto veprime fisnike flasin shumë për të dhe për humanizmin që ka mbartur dhe ka brenda qënies së tij.

I dashur për banorët e Dhërmiut dhe jo vetëm, shprehet i lumtur për vendin e tij të origjinës dhe për respektin e pakufizuar të banorëve. Përditshmëria e tij tashmë është mjaft e qetë, ai zbret në fshat për të blerë gjërat që i nevojiten, si ushqime, madje dhe gatuan. Gjatë ditës falet rregullisht rreth dy orë në mëngjes e dy orë në darkë dhe gjysëm ore në drekë. “Ajo që dua të theksoj për të gjithë është se kisha nuk është vetëm ajo që nuk lëviz nga vendi, por çdo njeri që beson Perëndinë dhe e propagandon hapur, pa frikë e ndrotje nga njerëzit ateist e demonët e pushtetshëm në tokë”. E Ati vazhdon të lutet ditë e natë, lutje për të cilat ka sakrifikuar pjesën më të madhe të jetës së tij dhe që premton se nuk do t’i braktisë përballë çdo pengese dhe për asnjë arsye.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga