Princi Harry ka mbrojtur trupat britanikë dhe të NATO-s që shërbyen në Afganistan, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump pretendoi se ata kishin qëndruar larg vijave të frontit, duke minimizuar rolin e tyre.
Harry, i cili shërbeu gjithashtu në Afganistan, tha se sakrificat e ushtarëve të NATO-s meriton respekt, shkruan CNN.
“Në vitin 2001, NATO thirri Nenin 5 për herë të parë dhe të vetmen në histori. Kjo do të thoshte që çdo komb aleat ishte i detyruar të qëndronte me Shtetet e Bashkuara në Afganistan, në ndjekje të sigurisë sonë të përbashkët. Aleatët iu përgjigjën kësaj thirrjeje”, tha Harry.
Harry theksoi se gjatë operacioneve në Afganistan, u vranë 457 ushtarë britanikë.
“Mijëra jetë ndryshuan përgjithmonë. Nënat dhe baballarët varrosën bijtë dhe bijat e tyre. Fëmijët mbetën pa prind. Familjet mbeten duke mbajtur koston”, tha Harry të premten.
Ndërkaq, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka akuzuar presidentin Donald Trump për deklaratën e tij.
Komentet e presidentin amerikan shkaktuan reagime të forta në Britani, nga spektri politik, veteranët e luftës dhe familjarët e ushtarëve të rënë në Afganistan.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik tha se “presidenti gaboi rëndë duke minimizuar rolin e trupave të NATO-s, përfshirë forcat britanike në Afganistan”, duke shtuar se Britania është “jashtëzakonisht krenare për forcat e saj të armatosura dhe për sakrificën që ato kanë bërë”.
Kryetarja e Partisë Konservatore britanike, Kemi Badenoch, i cilësoi deklaratat e president Donald Trump si “denigruese” për trupat britanike dhe “plotësisht të pavërteta”. Demokratët liberal kërkuan që qeveria britanike të thërrasë ambasadorin amerikan për sqarime.
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se Britania dhe aleatët e saj “iu përgjigjën thirrjes së SHBA-së” dhe se të rënët në luftë duhet të kujtohen si “heronj që dhanë jetën në shërbim të vendit”.
Nga ana tjetër, ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, ish-marins që ka shërbyer katër herë në Afganistan, i cilësoi deklaratat si “krejtësisht qesharake”, duke theksuar se trupat britanike dhe amerikane luftuan së bashku dhe se “jo të gjithë u kthyen në shtëpi”.
Reagime të forta erdhën edhe nga familjarë të veteranëve, të cilët i cilësuan fjalët e president Donald Trump si fyese për sakrificën dhe vuajtjet e tyre, duke i kërkuar qeverisë britanike të reagojë publikisht.
Komente










