Komedia “Prindër të dashur” shënoi një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në skenën e Teatrit “Bylis” të Fierit, duke mbushur plot sallën për tre netë radhazi, më 5, 6 dhe 7 nëntor.

Tre mbrëmje magjike teatrore, me të qeshura të pandërprera, emocione dhe duartrokitje të shumta, konfirmuan edhe një herë interesin e jashtëzakonshëm të publikut fierak për teatrin dhe shfaqjet cilësore.

Nën regjinë e Andia Xhungës, e cila rikthehet me sukses përpara artdashësve fierakë, komedia solli në skenë një kast të mrekullueshëm aktorësh: Luiza Xhuvani, Gentian Zenelaj, Indrit Çobani, Sokol Angjeli dhe Andia Xhunga, të cilët, përmes një interpretimi brilant, i dhuruan publikut tri net të paharrueshme.

Me një humor elegant, situata plot të papritura dhe dialogë të spikatur, “Prindër të dashur” solli në vëmendje fenomene dhe realitete të njohura të familjeve tona, marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve, dilemat, interesat dhe të vërtetat njerëzore që fshihen pas situatave të përditshme. Një komedi që jo vetëm shkaktoi të qeshura, por edhe përcolli mesazhe dhe nxiti reflektim.

Suksesi i kësaj premiere përbën një tjetër arritje të rëndësishme të sezonit teatror 2026, duke konfirmuar përzgjedhjen e goditur artistike dhe vizionin e drejtuesve të artit dhe kulturës në Bashkinë Fier për ndërtimin e një kalendari teatror cilësor, me vepra të spikatura dhe emra të njohur të skenës shqiptare.

Me një kalendar të pasur premierash dhe shfaqjesh, Teatri “Bylis” vijon të dëshmojë se është një nga qendrat e rëndësishme të jetës teatrore, ku arti, cilësia dhe publiku takohen në një sukses të përbashkët.

Tri netë, tri salla të mbushura plot dhe një sukses që i shtohet historisë artistike të Teatrit “Bylis” në vitin 2026.