DURRËS-Një tjetër rast i prerjes së paligjshme të të pyjeve është goditur nga policia. Në Durrës është sekuestruar një sasi lënde drusore pa dokumentacionin përkatës dhe automjeti që shërbente për ta transportuar.
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, rreth orës 00:30, në aksin rrugor Shkafanë-Manëz, kanë konstatuar një mjet furgon me drejtues shtetasin A. Sh., dhe pasagjer shtetasin L. Sh., duke transportuar një sasi prej 5m3 dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, që dyshohet se ishin prerë në pyllin e fshatit Dreç, Ishëm, Manzë. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë u proceduan penalisht për veprën penale "Prerja e paligjshme e pyjeve", shtetasit A. Sh., 57 vjeç, dhe L. Sh., 42 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme", ka njoftuar policia.