Gjatë fjalës së saj Ministrja e Integrimit Evropian theksoi se: “Qeveria e re që pas marrjes së mandatit është angazhuar maksimalisht, për të afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian, duke ndërmarrë një sërë masash për forcimin e shtetit të së drejtës.”
Duke u ndalur te “Road Map” për zbatimin 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian, Ministrja Gjosha deklaroi se “udhërrëfyesi i hartuar nga qeveria përmban masa ambicioze të cilat do të sjellin rezultate në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krijimin e një administrate publike efiçente, reformimin e sistemit gjyqësor, duke sjellë demokratizimin e mëtejshëm të vendit”.
“Vetëm duke krijuar një shtet ligjor ku respektohen të drejtat e secilit prej nesh,ne do të mund të ofrojmë siguri se meritojmë të jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe jo vetëm gjeografikisht.” tha Ministrja Gjosha.
Ministrja u ndal konkretisht në punën e bërë për secilin nga 5 prioritetet duke theksuar se Shqipëria është e vendosur të ecë përpara në udhëtimin e saj drejt Evropës. Gjosha u shpreh se qeveria do të ruajë të njëjtin ritëm në realizimin e reformave, pasi ato i shërbejnë të ardhmes së vendit.
“Për ne çdo hap i hedhur drejt Bashkimit Evropian është një nxitje më shumë për të mos u ndalur në përpjekjen e përditshme, për t’u ofruar qytetarëve tanë të njëjtat standarde si ato të vendeve të BE”,-tha Ministrja Gjosha.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe shefi i Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Evropian Vassilis Maragos i cili u shpreh se: “Vërehet përkushtim nga pala shqiptare në lidhje me reformat që duhen ndërmarrë , duke theksuar se Komisioni do të ofrojë gjithë asistencën e nevojshme në funksion të procesit të integrimit.”
Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, i pranishëm në këtë konferencë, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe Parlamentin, duke theksuar nevojën e reformave në sistemin Gjyqësor.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)
