I dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës materniteti “Mbretëresha Geraldinë” po i nënshtrohet një rikonstruksioni total dhe punimeve kanë gati 1 muaj që kanë nisur. Ditën e djeshme nisi shembja e godinës së vjetër.  Por për Partinë Demokratike me këtë shembje po shkatërohet trashëgimia kulturore

'Shembja makabre e maternetit Mbretëresha Geraldinë është gjithashtu një akt antiligjor. Kjo godinë është një vepër e trashëgimisë kulturore, por, njësoj si Teatri Kombëtar, ajo tani është një provë më shumë se në 25 prill qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë duhet ta largojnë këtë qeveri të shkatërrimit, të dështimit dhe të korrupsionit. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” , një prej ndërtesave simbol të kujtesës së kryeqytetit dhe e mijëra e mijëra prindërve, u shkatërrua pa marrë në konsideratë mendimin e asnjë eksperti", tha sot përmes një deklarata ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi.

Për Vokshin Rama dhe qeveria e tij kanë prishur një monument të kulturës së kategorisë së dytë, të mbrojtur që nga viti 2004 e në vijim nga një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore.

"Qytetarët duan ndryshim dhe në 25 Prill do t’i japin fund me votë masakrës në Tiranë dhe në Shqipëri. Që ky ndryshim të behët i mundur, vendi duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Po kush mund të na çojë në BE? Edi Rama që na vjedh, që shkel çdo ditë liritë e të drejtat, që po prish dhe shkatërron pasuritë tona për interesin e tij, që nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe vendin e ka çuar shumë hapa mbrapa në çdo fushë? Apo Lulzim Basha që i hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve rrugën për në NATO dhe liberalizoi vizat? Zgjedhja është e qartë. Që masakra si kjo e maternitetit, teatrit kombëtar, dhjetëra shtëpive të vjetra tiranase, grabitja e pronave tuaja, e taksave tuaja të marrë fund, na duhet një Kryeministër si Lulzim Basha që të bëjë mundur ndryshimin përmes anëtarësimit në Bashkimit Europian", tha ndër të tjera Vokshi.

Kujtojmë se në fillim të marsit kryeministri Edi Rama bëri me dije edhe projektin se si do të transformojë maternitetin që ndodhet në bulevardin “Zogu i Parë”, një investim i qeverisë shqiptare, e ndërsa konfirmoi se janë ndërtuar nga themelet edhe 3 maternitete të tjera në vend. Punimet që po kryhen për rikonstruksionin e ambienteve të tij përveç rehabilitimit do të realizojnë edhe sallat e reja që po rikonstruktohen në pavijonin gjinekologjik që do të kenë standarde bashkëkohore, me kushte moderne për të ofruar shërbim të denjë për nënat dhe fëmijët që do të vijnë në jetë.


Lajmi kryesor:

Rikonstruksioni i maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’, drejtoresha: Projekti ruan godinën historike! Pjesa e shembur ishte jashtë funksioni prej tërmetit