Prishtina zyrtare: Suksesi i dialogut Kosovë-Serbi nënkupton njohjen e ndërsjelltë

/ATSH-B.Jashari/.-Prishtina zyrtare thekson e rithekson se suksesi i dialogut Kosovë-Serbi nënkupton njohjen e ndërsjelltë, si dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
"Kemi punuar shumë dhe po punojmë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Po vazhdojmë me dialogun në zgjidhjen e çështjeve kyçe, të cilat do të ndihmojnë që ne t'i relaksojmë marrëdhëniet dhe të bashkëpunojmë në të gjitha fushat", theksoi Kryeministri Isa Mustafa, dje derisa me komisionerin e BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, kanë mbajtur mbledhje të përbashkët me kabinetin qeveritar të Kosovës.
"Marrëveshja e fundit për sistemin e drejtësisë është një marrëveshje që për neve ka një vlerë të veçantë dhe poashtu shpresojmë që edhe marrëveshjet e tjera do arrihen me një përkushtim të dyanshëm, mirëpo i cili përkushtim çon në atë që jo vetëm t'i normalizojmë marrëdhëniet por edhe të integrohemi bashkërisht në Bashkimin Evropian, të mos i bëjmë pengesë njëra-tjetrës dhe të kemi në fund edhe pranimin e Kosovës nga shteti i Serbisë", u shpreh Kryeministri Mustafa.
Ai edhe në seancën solemne të Kuvendit kosovar të festimeve të 7 vjetorit të Pavarësisë të shpallur në 17 shkurt 2008, theksonte se "Republika e Kosovës është vend që angazhohet për paqe, bashkëpunim e fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit" dhe se "në këtë frymë, ne edhe jemi angazhuar në dialogun me Republikën e Serbisë, proces ky që po organizohet e po lehtësohet nga Bashkimi Evropian".
Ne, vijonte kreu i qeverisë kosovare, kemi përqafuar dialogun si mjet të vetëm për të zgjidhur problemet e trashëguara nga lufta dhe nga e kaluara. "Dialogu si instrument i ushtrimit të sovranitetit në tërë territorin e vendit tonë dhe të integrimit të qytetarëve tanë po tregohet frytdhënës", vlerësonte Mustafa.
Ai vijonte se, rezultati i fundit i këtij dialogu është marrëveshja e arritur për drejtësi, e cila do të mundësojë funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë edhe në pjesën veriore të vendit, konform ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
"Qeveria e Republikës së Kosovës synon që përfundimi i procesit të dialogut me Serbinë të jetë i suksesshëm për të dyja vendet, e kjo për ne nënkupton njohjen e ndërsjellë dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Vetëm kështu do të mund të lihej pas e kaluara e dhimbshme, ndërsa popujve tanë do t'u jepej mundësia që, më në fund, të zinin hapin e zhvillimit e të përparimit të vendeve të tjera të kontinentit", theksonte kryeministri kosovar Mustafa.
Kosovën e pavarur 7 vite, nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 108 shtete anëtare të OKB-së, nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 24 raunde të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë kryeministror, gjatë të cilave në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike.
Raundi i 24-të, i zhvilluar javën e kaluar, ku Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për drejtësinë, ishte i pari i kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, pas zgjedhjeve gjatë vitit 2014, nga të cilat dolën qeveritë e reja të dy shteteve dialoguese.
Sipas deklarimeve të kryeministrit kosovar Mustafa pak ditë pas takimit me kryeministrin serb Vuçiç, "njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët". "Disa gurë të rëndësishëm të njohjes i vëmë kësaj jave në Bruksel", ka shtuar ai, duke theksuar se, "në drejtësi arritëm t'i aplikojmë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit tonë".
Ndërsa, disa ditë para takimit në Bruksel, në konferencën për shtyp në Prishtinë, kryeministri Mustafa ka theksuar se "jemi shumë të interesuar që të bëjmë integrimin e veriut, që të krijojmë ura të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, veçmas me komunitetin serb, të vazhdojmë dialogun në Bruksel për të zgjidhur të gjitha problemet dhe çështjet që i konsiderojmë se janë të diskutueshme dhe të debatueshme me qeverinë serbe për të krijuar një stabilitet në rajon dhe për të ardhur deri te gjendja që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë në këtë aspekt".
Njohja nga Shqipëria është ndër të parat që iu bë Kosovës në orët e para - ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, kur u njoh edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Afganistani dhe Kostarika.
Dy shtetet e tjera fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia e kanë njohur Kosovën në të njëjtën ditë - në 9 tetor 2008, duke e ngritur numrin e njohjeve në 50.
Nga dy shtetet tjera që dolën nga shpërbërja e federatës, në të cilën Kosova ishte element konstituiv me të drejtë vetoje, shteti i ri evropian u njoh më herët, nga Sllovenia në 5 mars 2008 dhe nga Kroacia në 19 mars 2008.
Nga elementet konstituive të federatës së shpërbërë, pos Serbisë vetëm edhe Bosnjë Hercegovina ende nuk e ka njohur Kosovën.
Njohja nga Ishujt Solomon në 13 gusht 2014 është e 108-ta për shtetin e Kosovës./k.s/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale