Qeveria kanadeze njoftoi se ka hequr Sirinë nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin.

Gjithashtu ata hoqën edhe Hayat Tahrir al-Sham (HTS), organizatën që udhëhoqi aleancën e rebelëve islamikë që rrëzuan ish-Presidentin Bashar al-Assad, nga lista e subjekteve terroriste sipas kodit penal kanadez.

Autoritetet informuan se akti u ndërmor “në përputhje me vendimet e fundit të aleatëve”.

“Këto masa janë në përputhje me vendimet e fundit të marra nga aleatët tanë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndjekin përpjekjet e qeverisë kalimtare siriane për të promovuar stabilitetin e Sirisë, për të ndërtuar një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe të sigurt për qytetarët e saj dhe për të punuar së bashku me partnerët globalë për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të luftuar terrorizmin”, thuhet në një deklaratë nga diplomacia kanadeze.

Siria e mirëpriti veprimin e Kanadasë, duke e quajtur atë "një zhvillim pozitiv dhe konstruktiv" që pranon dëmin e shkaktuar nga sanksionet "në jetën e popullit sirian dhe në sektorët jetikë të vendit".

Ministria e Jashtme e Sirisë tha se ky hap "shënon një moment të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve siriano-kanadeze" dhe hap derën për "një fazë të re bashkëpunimi shumëplanësh".

Damasku gjithashtu përsëriti gatishmërinë e tij për të punuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për t'u angazhuar në dialogun që mbështet rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin "në një mënyrë që i shërben interesave të përbashkëta të sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar".