PRISHTINË - Rreth 200 të rinj që studiojnë apo kanë mbaruar studimet Bachelor/Master në drejtimet përkatëse, kanë shfrytëzuar panairin e punësimit me bankat komerciale të mbajtur sot, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, për t'u njoftuar mbi mundësitë e punësimit apo mbajtjes së praktikës në industrinë bankare.
Përfaqësuesit e bankave shpalosën para të interesuarve mundësitë që ofrojnë për praktikë profesionale dhe punësim, teksa mblodhën CV të kandidatëve që shfaqën interesim për t'u punësuar në sektorin bankar.
Panairi i sotëm ishte një mundësi për studentët apo të diplomuarit që të takohen me përfaqësues të bankave, të cilët rekrutojnë kandidatë të suksesshëm për punë.Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija theksoi rëndësinë e angazhimit të të gjithëve për uljen e papunësisë në Kosovë.
Panairi i punësimit me bankat komerciale në Kosovë është pjesë e fushatës së Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik./ATSH/