PRISHTINË, 13 Shkurt /ATSH/.- Fituesja e fotografisë më të mirë e konkursit kombëtare "#InstaKosova" është përzgjedhur Sara Rodiqi me fotografinë "N'kamp verës në Ngom Fest, Prizren". Konkursi, i organizuar në kuadër të shtatë vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe i iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, zhvillohet për herë të tretë si pjesë e projektit të Diplomacisë Dixhitale.
Në këtë konkurs janë vlerësuar rreth 25 mijë fotografi të postuara në hashtagët #InstaKosova dhe #InstaKosovo.
Juria e përbërë nga: Blerim Racaj (fotograf), Nita Salihu (dizajnere), Blerta Kambo (fotografe), Arjeta Emra (drejtoreshë e British Council) dhe Era Istrefi (këngëtare) kanë vlerësuar fotografitë e postuara dhe në të gjitha rrjetet sociale të cilat reflektojnë mbi arkitekturën, urbanizmin, natyrën, shoqërinë, jetën e natës, rininë dhe të jetuarit në Kosovë.
Juria përzgjedhëse ka vlerësuar se "fotografia e Sara Rodiqit është e pa ekzagjeruar, plot jetë, foto shokësh që me vete e kanë botën dhe limiti i kufijve të këtij vendi nuk ua limiton lidhjen utopike me hapësirën, me njëri-tjetrin dhe me ne si vëzhgues.Nuk është foto e shikimit të parë, është foto që rritet, zbukurohet, shtohet derisa e sheh".
Ndërsa fituesit e dhjetë fotografive më të mira janë: Jetmir Idrizi, Diellza Hasani, Armend Krasniqi, Agon Syla, Agron Beqiri, Nita Deda, Orgesa Arifi, Fisnik Dobreci, Drenusha Lika, Nëntor Oseku.
Fotografia më e mirë shpërblehet me 500 euro, kurse 10 fotografitë më të mira me nga 100 euro. Ndërkohë juria ka përzgjedhur edhe rreth 100 fotografi, të cilat do të publikohen në një libër fotografish që do t'i jepet falas institucioneve të ndryshme shtetërore në botë dhe në hapësira të ndryshme të artit e kulturës.
Përveç kësaj, këto fotografi do të jenë pjesë e ekspozitës #Instakosova e cila do të hapet më 16 dhjetor për të festuar shtatë vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Hapja e ekspozitës do të bëhet të hënën më 16 shkurt 2015, në orën 17:00, në Sheshin Nëna Tereza në Prishtinë, pranë EU Cultural Center.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës po ashtu sot ka lançuar ueb faqen zyrtare ëëë.instakosova.com. Në të gjenden të gjitha fotot fituese si dhe informacione të ndryshime rreth #InstaKosova.
Pavarësia e Kosovës e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është njohur deri tani nga 108 shtete anëtare të OKB-së./b.j/k.s/