PRISHTINE, 1 Shkurt/ATSH/- Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas, do të ofroje këshillime falas për gratë shtatzëna dy herë në javë.
Ky është një projekt i realizuar nga Fondacioni "Aksioni për Nëna dhe Fëmijë" në mbështetje të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.
Kjo qendër do të ketë një pikë në Qendrën e Mjekësisë Familjare IV dhe një në Klinikën e Gjinekologjisë në ShSKU. Pjesë stafit do të jenë gjinekologë, fizioterapeutë, mami, infermiere dhe psikologë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress koordinatore e Qendrës Informuese për shëndetin e Gruas, Shqipe Surdulli tha se duke parë sesi gratë informohen shumë përmes internetit, e që fatkeqësisht ndonjëherë ato informacione nuk janë të sakta, kanë vendosur të hapin një qendër të tillë. Shumë shpejtë një qendër e tillë pritet të hapet edhe në Ferizaj. Fondacioni "Aksioni për Nëna dhe Fëmijë" mendon ta zgjerojë këtë projekt nëpër shumë komuna të Kosovës./a.gjonaj/ /a.g/







