TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka bërë ndryshime të drejtuesve të strukturave vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit. Ndryshimet kanë ndodhur thuajse në çdo qark, përveç Beratit. Ndryshimet janë bërë në kuadër të analizës së bërë në Policinë e Shtetit, ku drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Nano tha se këto lëvizje do i paraprijnë ndryshimeve të tjera që do të bëhen në drejtuesit e tjerë të Policisë, në nivel vendor.

Rebani Jaupi largohet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës dy vite e gjysmë nga emërimi. Në vend të tij emërohet Lorenc Panganika. Kryepolici Gledis Nano i ka besuar drejtuesit të lartë Rebani Jaupi postin e ri në Drejtorinë e Përgjithshme, atë të drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike, vend të cilin e mbante prej pak muajsh Neritan Nallbati. Ky i fundit transferohet në Drejtorinë e Policisë Durrës, ndërsa zëvendëson aty Oltion Bistrin. Në muajt e verës qarku i Durrësit ka rezultuar i qetë në ngjarje kriminale, por ka rënë në sy për kapjen e sasive të kokainës në port. Por kjo nuk e ka bindur kryepolicin Nano, ndërsa ka vendosur të transferoj Oltion Bistrin në Lezhë. Lorenc Shehu që mbante detyrën në Lezhë emërohet drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.

Në ditët e fundit Elbasani është tronditur nga dy atentate mafioze, të mbetura të pazbardhura. Pavarësisht eksperiencës së vyer ndër vite të Gjovalin Lokës në krye të Policisë Elbasan, Gledis Nano ka vendosur të bëj një rokadë më Korçën, duke emëruar atje Lokën dhe sjelljen e Ardian Çipës nga Korça në Elbasan. Çipa, me eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, përballet tashmë me detyrë të vështirë, në njërin prej qarqeve më problematik sa i përket krimit.

Ndryshime ka edhe në Vlorë. Bledar Çeliku, vetëm pak muaj pas emërimit në këtë qark problematik transferohet dhe emërohet në Gjirokastër. Vendin e tij në Vlorë e merr Gentian Berberi. Hamdi Fjora nga Kukësi transferohet dhe emërohet në Policinë e Shkodrës. Nga Shkodra transferohet në Dibër, Skënder Hitaj. Në Kukës merr detyrën Edmond Sulaj. Ferdinand Mara, që u emërua disa muaj më parë në Fier, lirohet nga detyra dhe në vend të tij emërohet Alfred Çepe. I vetmi qark në të cilin nuk ka ndryshim drejtori është ai i Beratit. Edmond Tarkaj u emërua në qershor në këtë detyrë, duke lënë kreun e Policisë Rrugore.

Vendi i lënë bosh nga Gledis Nano tek Antiterrori zëvendësohet nga Alban Dautaj, i cili pritet të çoj përpara punët e lënë përgjysmë nga kreu i ri i Policisë së Shtetit.

Në kuadër të lëvizjeve në Policinë e Shtetit, ndryshime janë bërë edhe në Drejtoritë e Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit, konkretisht në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër. Përkatësisht në këto detyra emërohen Saimir Boshnjaku, Fatmir Hoxha, Sokol Cana dhe Arben Joca. Në vazhdim, pritet të ketë ndryshime edhe në nivel komisariatesh, sidomos në ato që janë hasur problematika.

Një prej departamenteve për të përfolur në javët e fundit ka qenë ai i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, i cili prej disa vitesh udhëhiqet nga Tonin Vocaj. Puna e kryer nga në këto muaj siç duket e ka bindur kreun e ri të Policisë së Shtetit, për ta mbajtur sërish në krye të kësaj detyre.

"Duke filluar që nga dita e nesërme, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, do të bëj prezantimin e drejtuesve të rinj të Policisë, në çdo drejtori, si dhe do t’iu përcaktoj prioritetet dhe objektivat atyre për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë publike në luftën kundër krimit", tha Nano.

Këto ndryshime vijnë në kuadër të emërimit të ri të Gledis Nanos Drejtor i Përgjithshëm në Policinë e Shtetit, ndërsa është plotësuar edhe 100 ditëshi i vendosur nga kryeministri Rama për riorganizimin e policisë dhe vendosur prioritete të qarta. Kryeministri kërkoi që punonjësit e policisë të përfshirë në afera korruptive, ryshfeti dhe ata oficerë që “luajnë me dy porta”, të largohen nga radhët e uniformave blu dhe të dalin përpara përgjegjësisë penale.

Emrat e ndryshuar janë:

1.            Emërimin e Drejtues i Parë, Lorenc Panganika, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

2.            Drejtues Hamdi Fiora, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

3.            Kryekomisar Gentian Berberi, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

4.            Drejtues i Parë Ardian Çipa, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

5.            Drejtues i Parë Alfred Çepe, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

6.            Drejtues i Parë Gjovalin Loka, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

7.            Drejtues i Parë Neritan Nallbati, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

8.            Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, në detyrën Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në DPPSh.

9.            Drejtues Edmond Sulaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

10.          Drejtues i Parë Bledar Çeliku, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.

11.          Kryekomisar Oltion Bistri, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

12.          Drejtues i Parë Skënder Hitaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

13.          Kryekomisar Alban Dautaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit.

14.          Drejtues Saimir Boshnjaku, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Tiranë.

15.          Drejtues Fatmir Hoxha, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Korçë.

16.          Kryekomisar Sokol Cana, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.

17.          Kryekomisar Arben Joca, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Shkodër.

18.          Kryekomisar Lorenc Shehu, në detyrën Drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.