GREQI - Deputetja e Demokracisë së Re, Maria Andoniu, ka drejtuar një pyetje sot ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Rendit në lidhje me “Prerjen pakriter të lëndëve drusore në malin Gramoz”. Në pyetjen e saj deputetja greke thekson se kohët e fundit vërehen raste të shumta të prerjeve të pemëve, gjë që ka sjellë një katastrofë ekologjike për zonën.

Më hollësisht pyetja e saj është si më poshtë:

“Kohët e fundit jemi të gjithë dëshmitarë të një sërë rastesh kur shtetas shqiptarë, të cilët hyjnë ilegalisht në territorin grek, në zonën e Kosturit bëjnë një keqtrajtim dhe presin lëndëdrusore në mënyrë të paligjshme, me pasoja të rënda ekologjike, në zonat kufitare.
Duke qenë se vitet e mëparshme janë hequr disa pika kufitare gjatë gjithë vijës kufitare me Shqipërinë:
Duke qenë se flitet se do të largohet nga zona brigada 15 e këmbësorisë
Duke qenë se një numër shumë i madh policësh dhe ushtarakësh transferohen vazhdimisht nga Kosturi në zonat e tjera kufitare në veri të Greqisë
Duke qenë se ndjenja e sigurisë dhe e mbrojtjes së qytetarëve në zonën e Kosturit është plagosur në një masë të madhe, dhe duke sjellë si rezultat shtimin e rrezikut të ndonjë episodi të përgjakshëm...

Pyes ministrat e Mbrojtjes dhe të Rendit
1- Eshtë në synimet e ministrisë së Mbrojtjes të çelin pikat kufitare, të cilat i kanë mbyllur gjatë kufirit me Shqipërinë në zonën kufitare të Kosturit?
2- Është në synimet dhe qëllimet e ministrisë së Mbrojtjes largimi nga zona i Brigadës së 15 të këmbësorisë nga Kosturi?
3- Cilat masa, pritet të marrë ministria e Rendit për të parandaluar ndjenjën e kërcënimit të sigurisë së banorëve të zonës së Kosturit?”

Pritet që këtyre pyetjeve, të cilat kanë marrë shkas nga një artikull i datës 17 janar i gazetës Ta Nea, e cila bënte fjalë për “mafien shqiptare, e cila priste në mënyrë të paligjshme pemët në malin Gramoz dhe një pjesë i tregtonte për dru zjarri në Greqi, ndërsa pjesën tjetër e çonte në Shqipëri dhe Itali, pra këtyre pyetjeve pritet që në një të ardhme, t’u përgjigjen ministrat kompetentë grekë...

MEDIA DJE: MAFIA E PYEJEVE PLACKIT GRAMOZIN
Gazeta greke TA Nea shkruan se “Mafia e pyjeve plaçkit Gramozin” duke u ndalur kështu në fenomenin e shpyllëzimit të paligjshëm të këtij mali në tokën greke prej disa grupeve të organizuara nga Shqipëria.

Sipas Ta Neas shumica e pemëve, siç dëshmojnë banorët e paktë të këtij fshati, janë rreth 30-vjeçare dhe janë të prera një metër mbi rrënjë. Më pas, trupat transportohen me anë të kafshëve drejt kufirit shqiptar, ku rreth 500 metra në brendësi të të cilit, janë hapur reparte provizore me sharra elektrike të cilat seleksionojnë lëndën drusore.

Gazeta “Ta Nea” thekson gjithashtu se më në jug grupet e tregtarëve të paligjshëm të druve janë shqiptarë dhe grekë që bashkëpunojnë, madje kanë ndarë malin Gramoz në zona të caktuara.

Sipas reportazhit, shkak kryesor për këtë fenomen është bërë tashmë edhe mungesa prej disa vitesh e reparteve ushtarake që ka mbyllur qeveria greke, duke lënë të lirë kontrabandistët e druve të veprojnë pa kontroll në këto zona kufitare.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)