Priten zhvillime dhe ndryshime të mëdha për këto shenja… Kujdes! Astrologu Jorgo Pulla paralajmëron vëmendje përgjatë muajit Shtator

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka ishte astrologu Jorgo Pulla, i cili bëri një parashikim mujor të Shtatorit, duke u ndalur specifikisht tek të gjitha shenjat e zodiakut…Por çfarë thonë yjet për muajin Shtator sipas tij? Si është situata emocionale apo financiare për 12 shenjat e zodiakut? Cilat do të kenë fat në dashuri? “Është periudha e ndryshimeve të mëdha dhe mundësive! Mund të themi se kjo vjeshtë jep ndikime dhe favorizime për të cilat ne duhet të jemi të përgatitur për nisma të reja. Këtë muaj shenjat si Luanët, Shigjetarët, Gaforret pritet të kenë ndryshime të mëdha, ndërsa Virgjëresha duhet të jetë paksa e vëmendshme”, u shpreh Pulla teksa nisi parashikimin e detajuar për secilën shenjë.

Dashi

Muaji ka nisur me guvernatorin në Mars, i cili ju inkurajon për ndikime pozitive. Jeni një hap para çdo gjëje që ndodh, ndërsa është koha e duhur për të vendosur synime të reja për mirëqenien tuaj. Sunduesi i shenjës suaj, Marsi nga Gaforrja, shkakton grindje, ndërsa do t'ju duhet të ndërmerrni disa iniciativa për të menaxhuar ngjarjet e së shkuarës që ju mundojnë. Venusi nga Peshorja përmirëson ndjeshëm jetën tuaj shoqërore deri më 23 shtator. Eklipsi Hënor te Peshqit nxjerr në sipërfaqe shqetësimet emocionale, disa zbulime që do të bëhen do t'ju detyrojnë të mbyllni disa qarqe. Shtatori do të jetë dinamik për ju që keni lindur më 18-20 Prill ku hidhni hapa të mëdhenj në zhvillimin profesional. Është një periudhë e favorshme për dashurinë, pasi Venusi në Peshore nxit ndjeshmërinë dhe dëshirën për bashkime emocionale.

Demi

Shtatori fillon me Hënën e re në Virgjëreshë, e cila intensifikon krijimtarinë tuaj, por sjell edhe zhvillime të bukura stabilizuese në jetën tuaj emocionale. Marsi nga Gaforrja ju motivon gjatë gjithë muajit të merrni iniciativa, të bëni udhëtime të shkurtra, por nuk do të mungojnë zënkat në jetën tuaj të përditshme. Venusi nga Peshorja ju ndihmon të përmirësoni pamjen tuaj, gjendjen tuaj fizike dhe të mbani një orar të mirë në jetën tuaj të përditshme. Eklipsi Hënor në shenjën e Peshqve shkakton keqkuptime në rrethin tuaj shoqëror ndërsa disa nga dëshirat tuaja vonohen të realizohen! Java e fundit e muajit është fuqizuese për lidhjen me partnerin.

Binjakët

Ky muaj mund të përshkruhet si vendimtar për shenjën e Binjakëve. Fillon me Hënën e Re në shenjën e Virgjëreshës, e cila ju detyron të bëni rinovime të rëndësishme në shtëpi, në familje dhe në zyrën profesionale duke marrë përsipër përgjegjësi të reja. Vazhdon me Eklipsin Hënor në shenjën e Peshqve që hedh poshtë disa pritshmëri që keni pasur për profesionin! Jupiteri nga shenja juaj vazhdon dhe është sponsori i gjetjes së zgjidhjeve dhe restaurimit, kjo nuk duhet harruar! Emocionalisht ka një atmosferë më të bukur dhe freskuese, ndërsa financiarisht shpenzimet ecin me shpejtësinë e dritës, gjë që ju shton pasigurinë! Shtatori sjell mundësi për të forcuar lidhjen me partnerin. Do të ketë një rritje të komunikimit dhe mirëkuptimit mes jush, gjë që do t'ju ndihmojë të zgjidhni keqkuptimet dhe të thelloni marrëdhënien tuaj. Kushti themelor është të mos lejoni që çështjet profesionale dhe financiare të thithin të gjithë interesin tuaj. Nëse jeni beqarë atëherë muaji ofron shumë mundësi për njohje të reja.   

Gaforrja

Në shtator ju pret Marsi në shenjën tuaj, kështu që përvishni mëngët dhe punoni fort duke marrë iniciativa dhe duke tërhequr ‘fijet’ për të arritur qëllimet! Kthimi i Plutonit te Bricjapi do t'ju kujtojë kohët e vjetra në fushën e marrëdhënieve dhe partneriteteve dhe do të detyroheni të mbyllni disa rrethe, sidomos nëse keni lindur më 20-22 korrik! Kushtet në shtëpi dhe në familje përmirësohen dhe ju shijoni ngrohtësinë e të dashurve tuaj duke bërë dhe rinovuar hapësirën tuaj deri në 23 shtator. Në të njejtën kohë, nga ana profesionale asgjë nuk mund ta pengojë suksesin tuaj, e vetmja pengesë mund të jetë zvarritja dhe dilemat tuaja, ku duhet t'i kapërceni. Marsi është në shenjën tuaj këtë muaj, duke sjellë energji dhe pasion intensiv në jetën tuaj të dashurisë. Do të ndjeni vetëbesim të shtuar dhe një dëshirë të fortë për të shprehur ndjenjat tuaja. Mund të merrni iniciativa dhe të bëni lëvizje dinamike për të forcuar marrëdhënien ose për t'iu afruar dikujt që ju intereson.   

Luani

Muaji është emocionues për shenjën tuaj, por ju ndiqni instinktet dhe merrni iniciativa për të mbyllur çështjet e pazgjidhura në jetën tuaj! Prania e Venusit në shenjën e Peshores është e dobishme për ide të reja krijuese, marrëveshje financiare, takime të këndshme, udhëtime të bukura rekreative, por edhe për flirtim... Marsi në shenjën e Gaforres ju shteron rezervat e energjisë, sepse zbuloni se ka shumë çështje në pritje. Gjatë gjithë muajit, ju bëni lëvizje drastike për financat tuaja ose jeni të detyruar të shkurtoni shpenzimet. Deri më 23 shtator, Afërdita është në Peshore, duke favorizuar marrëdhëniet tuaja të dashurisë dhe duke sjellë një atmosferë romantike dhe elegance në jetën tuaj. Jeni veçanërisht tërheqës dhe simpatik, gjë që do t'ju lejojë të lini një përshtypje mbresëlënëse te njohjet e reja ose të forconi marrëdhëniet me partnerin. Është një kohë e mirë për të planifikuar takime romantike ose për të organizuar surpriza që do të rinovojnë marrëdhënien tuaj. Nëse jeni beqarë, ndikimi i Venusit mund të sjellë në jetën tuaj mundësi të reja.

Virgjëresha

Shtatori vjen me mesazhin e fortë se koha për të bërë gjëra është tani ose kurrë... Ka shumë gjëra që duhet t'i vini me radhë, shumë iniciativa që duhet të zbatohen, ndërkohë që duhet të shpëtoni nga idealizimi i situatave dhe njerëzve dhe të përballeni realisht me të vërtetën. Hëna e re në shenjën tuaj nga 3 shtatori ju motivon të ndryshoni punë, të merrni iniciativa dinamike, të shfrytëzoni potencialin tuaj dhe të guxoni të punoni në mënyrë të disiplinuar. Marsi në Gaforre ju lidh dhe ju motivon për të ndjekur qëllimet, ëndrrat, dëshirat. Venusi nga Peshorja përmirëson gjendjen tuaj financiare. Profesionalisht, edhe pse përballeni me pengesa përmes partneriteteve, Jupiteri është mbështetësi juaj për të hedhur një hap të ri. Eklipsi i Hënës tek Peshqit do të nxjerrë në dritë ndjenjat dhe çështjet e fshehura që mund të keni injoruar.

Peshorja

Është një muaj që ka shumëllojshmëri ngjarjesh për shenjën tuaj të horoskopit. Nuk mungojnë nervat, pasi Marsi do të lëvizë në shenjën e Gaforres, por ju apelon të merrni iniciativa, të ndiqni me vrull synimet tuaja dhe të pretendoni diçka më të mirë për të ardhmen. Ankthi dhe shqetësimi do të jenë prezent këtë muaj, sepse financat do kenë ulje-ngritje, por ju keni mundësinë për të hedhur hapa të rinj në jetën tuaj, duke përvetësuar njohuri të reja ose duke u futur në sipërmarrje të reja. Deri në datën 23 shtator, Afërdita e shenjës suaj ju ndihmon të tërhiqni atë që dëshironi realisht, ndërsa sharmi juaj rritet rrezikshëm. Përgjatë gjithë muajit shtator, Afërdita qëndron në shenjën tuaj, duke sjellë një hapje për zhvillime romantike.

Akrepi

Për shenjën tuaj është një muaj surprizash. Marsi do të lëvizë në shenjën e Gaforres duke formuar një trekëndësh me Diellin, kështu që ky muaj është i shkëlqyer për të rifituar forcën, guximin dhe marrjen e iniciativës për të çuar përpara çështje në lidhje me ngritjen tuaj profesionale. Miqtë e rinj, njohjet e reja dhe planet e reja do të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tuaj dhe do të sjellin zgjim thelbësor, si në planet krijuese ashtu edhe në dashurinë sidomos nga data 23 shtator kur Venusi hyn në shenjën tuaj. Eklipsi hënor te Peshqit, i cili do të ndodhë më 18 shtator, do t'ju stimulojë emocionet dhe do të përmirësojë imagjinatën. Ky eklips mund t'ju shtyjë të merrni vendime të rëndësishme ose të qartësoni marrëdhëniet. Nga 23 shtatori, Afërdita hyn në shenjën tuaj, duke sjellë një ajër rinovimi dhe pasioni në romancën tuaj. Është koha e duhur për të thelluar marrëdhëniet tuaja, për të rindezur dashurinë dhe për të kërkuar atë që dëshironi vërtetë.

Shigjetari

Kjo është një kohë e rëndësishme për Shigjetarin. Është e rëndësishme të qëndroni të vërtetë! Mërkuri deri në datën 9 të muajit nga Luani favorizon komunikimet, planet e reja, por edhe optimizmin për fillimet e rëndësishme që ecin përpara. Këto fillime kanë të bëjnë kryesisht me fushën profesionale, ku prisni të përveshni mëngët dhe të punoni shumë. Afërdita nga shenja e Peshores forcon shoqërueshmërinë tuaj, ndërsa Marsi nga Gaforrja ndez kënaqësinë erotike. Nëse jeni beqarë, kjo është koha e duhur për të hapur krahët dhe për të eksploruar mundësi të reja dashurie. Komunikimet përmes mesazheve dhe rrjeteve sociale do të jenë interesant dhe mund të lindin simpati me njerëz që ndajnë interesat me ju, megjithatë, eklipsi hënor te Peshqit sjell edhe disa gracka, veçanërisht nëse veproni sipërfaqësisht në marrëdhëniet tuaja.

Bricjapi

Shtatori vjen me zhvillime të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve dhe partneriteteve. Marsi në Gaforre ju përball me përgjegjësitë e veprimeve dhe zgjedhjeve të së shkuarës në këto fusha dhe përplasjet me mjedisin janë të pritshme. Hëna e  re në Virgjëreshë është një mundësi e mirë për të ecur drejt marrëveshjeve të reja. Eklipsi Hënor i 18 shtatorit pritet t'ju ndajë mes logjikës dhe emocionit, nuk do ta dini se cila është rruga e duhur për të ndjekur. Deri më 23 shtator, Venusi në Peshore ju ndihmon të redaktoni imazhin tuaj social, ndërsa Marsi në Gaforre lëviz përballë jush, duke sjellë tension dhe konflikt në marrëdhëniet tuaja. Kjo dinamikë mund të shkaktojë trazira, veçanërisht nëse ka çështje të mbetura të pazgjidhura. Do të ndjeni nevojën për të mbrojtur veten, por është e rëndësishme të keni kujdes se si i shprehni ndjenjat tuaja.

Ujori

Ky muaj  ju gjen në humor dhe mezi prisni të shijoni sezonin e ri duke udhëtuar, duke shijuar pak më shumë detin dhe miqtë. Çështja që dhemb këtë muaj është ajo financiare, pasi si Hëna e re ashtu edhe eklipsi hënor, ju përgatisin për të gjetur burime të reja të ardhurash dhe për të qenë më realistë në financat tuaja. Marsi në Gaforre ju detyron të shkelni gazin dhe t'i drejtoni gjërat në mënyrë profesionale. Provoni këtë muaj të shmangni pasiguritë! Deri më 23 shtator, Afërdita kalon në Peshore, duke ju ofruar rinovim dhe energji pozitive në romanca. Nëse jeni në një lidhje, atmosfera do jetë më harmonike dhe do keni mundësi të shijoni momente të bukura me partnerin. Nëse jeni beqarë, Afërdita ju sjell njohje të reja që do ju rinovojnë humorin dhe do ju emocionojnë.

Peshqit

Ky muaj është vendimtar për qetësinë tuaj shpirtërore. Peshqit kanë shumë mundësira, por mundësia më e mirë që ata kanë i kanë me datë 18 shtator, ku do të jetë dhe eklipsi hënor. Në këtë moment do të bëjnë të pamundurën për rritjen në detyrë. Disa çështje shpirtërore që kanë patur probleme, pas datës 20 shtator do të zgjidhen. Vazhdimësia duket e mbarë dhe parashikohet një muaj perfekt. Hëna e re sjell nevojën për vendime përfundimtare në marrëdhënien tuaj! Nëse keni lindur mes 1 dhe 5 marsit, kjo periudhë do të jetë vendimtare për të ardhmen tuaj emocionale. Eshtë momenti për të parë qartë rrugën që dëshironi të ndiqni me partnerin dhe për të marrë vendimet e nevojshme për të mirën e marrëdhënies. Lëvizjet që bëni tani duhet të jenë të menduara mirë në mënyrë që të mos e gjeni veten në një pozitë të vështirë. Durimi dhe diplomacia do të jenë çelësat për tejkalimin e vështirësive. Në financat tuaja, shtatori ju ofron disa zhvillime të këndshme.

 

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë