TIRANË- Më pak njerëz, më pak minuta, as një orë në bulevardin para kryeministrisë, dhe një fjalim po ashtu më i shkurtër se zakonisht nga Sali Berisha në protestën e katërt radhazi. Duket se asgjë nuk po i nxit, edhe mbështetësit më të flaktë të tij, e jo më qytetarët, t’i bashkohen kreut demokrat, të cilët dita-ditës po ‘tkurren’ njëjtë si në protestat e Belind Këlliçit.

8 Dhjetori i këtij viti është shumë larg nga ai i 1990-ës, kur studentët nisën lëvizjen që çoi më pas në rrëzimin e regjimit komunist të kohës. E ndërsa përballë vetes edhe mbrëmjen e kësaj të hëne nuk kishte as 100 militantë, Berisha çuditërisht foli sërish për protesta të fuqishme që nuk do të ndalen. Një refren të cilin ai e ka përdorur herë pas herë, e ka vënë po ashtu në jetë, dhe ka dështuar.

“Edi Rama vjen në këtë dhjetor si armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Meriton çdo ndëshkim për këto që i ka bërë popullit. Të nisim protestat e fuqishme, me të cilat do ti kthejmë shqiptarëve të ardhmen”, theksoi Berisha.

Berisha tha se nga kjo foltore duhet të shërbejë për tu ngritur në idealet e studentëve të dhjetorit për të përzënë Edi Ramën.

“Sot shqiptarët kanë një forcë politike, Partinë Demokratike, e themeluar nga studentët e dhjetorit, parti e cila është e dyta dhe e vetme në të gjithë hapësirën ish-komuniste që u mbijetoi përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar për të kthyer në piedestal idealet e larta të lëvizjes së Dhjetorit, lirinë e shqiptarë, votën e lirë, dinjitetin e tyre dhe interesin kombëtar të shqiptarëve”, tha Berisha.

Në protestë edhe “tradhtari” Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, dy figura që kanë nisur një lëvizje paralele brenda Partisë Demokratike

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:14
Protesta me një grusht militantësh, Balla s’kursen ironinë ndaj PD: Ku vajtën krushqit? Dasmë si mos më keq këtë javë

Foto nga protesta e sotme e PD

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas protestës së thirrur këtë mbrëmje nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka zgjedhur ta shoqërojë reagimin me nota ironie, teksa shprehet se situata për PD-në duket se po përkeqësohet, edhe pse protesta përkoi me 8 Dhjetorin, datë simbolike e Lëvizjes Studentore të vitit 1990.

Ai ironizon gjithashtu deklaratat e Sali Berishës gjatë protestës së katërt, i cili vuri theksin te roli i gjeneratës Z në ndryshimet politike nëpër botë.

“Si mos më keq dasma këtë javë. Edhe më keq duket se do shkojë dhe ki parasysh që ishte dhe 8 Dhjetor. Po mirë të paktën që foli i pari dasmës për gjeneratën Z. Më thoni një emër që fillon me këtë shkronjë”, shkroi  Balla në rrjetet sociale.

Sipas kreut të grupit të PS në Kuvend, numri i protestuesve ka ardhur duke u pakësuar, ndërsa që tek foltorja e parë pak javë më herët, Balla citoi shprehjen e humoristit shkodran, Besnik Çinari: "Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasmë!"

Ora 19:52
VIDEO/ Militanti i Berishës del në foltore dhe harron fjalimin: Faleminderit shumë dhe më falni....

Një i ri që iu bashkua protestës së Sali Berishës para Kryeministrisë tërhoqi vëmendje për ‘fjalimin’ e tij prej 18 sekondash. Eugen Gjoni u ftua që të dalë në foltore, por fillimisht nuk po dukej për disa sekonda derisa më pas u ngjit në foltore.  

Ishte parashikuar që ai të mbante një fjalim si gjithë të tjerët, por kur u ngjit në foltore duket se u emocionua dhe e harroi fjalimin. Ai foli shumë shkurt, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, kërkoi falje dhe më pas u largua nga foltorja.

“Përshëndetje të dashur miq e demokratë. Faleminderit që jeni sot në ditën e Rinisë, jemi munduar të bëjmë një foltore ndryshe, faleminderit për pjesëmarrjen, faleminderit shumë dhe më falni....”, tha ai.

Ky moment shkaktoi të qeshura tek të pranishmit, madje edhe vetë Sali Berisha dallohet teksa qesh dhe duartroket.

Ora 19:26
Berisha me një grusht militantësh në shesh: Ju ftoj të nisim protesta të fuqishme! Rama e ka mbushur kupën, meriton çdo ndëshkim

 

 

Nga protesta para Kryeministrisë në Ditën e Rinisë, kreu i PD Sali Berisha ‘shigjetoi’ kryemistrin Edi Rama. Berisha tha se gjatë qeverisjes së tij janë larguar pjesa më e madhe e të rinjve nga vendi.

Berisha u bëri thirrje demokratëve që të bëhen pjesë e protestave të mëdha që PD do të nis.

‘Edi Rama është hajduit më i madh i të gjitha kohrave, ai vjen në këtë dhjetor si armik i egër i interesit të shqiptarëve, vjen në këtë dhjetor si armiku më i egër i të rinjve dhe i rinisë. Përzuri në 10 vite 70 për qind të të rinjve nga vendi, rrënoi shkollat dhe të ardhmen e tyre. Duhet që të përballemi me këtë të keqe të madhe dhe për të ardhemn tonë dhe për vendin tonë, për familjet dhe fëmijët tanë.

Ky është borxhi ynë, kjo është detyra jonë. Edi Rama ka mbushur jo kupën por çdo gjë, ai meriton çdo ndëshkim me këtë që i ka bërë kombit, përpiqet që të mbrojë vjedhjen e ministrave të tij. Është koha e njerëzve që e duan vendin dhe ju ftoj që të nisim protesta të fuqishme me të cilat ne, do ju rikthejmë shqiptarëve të ardhmen, nderin dhe dinjitetin që meritojnë. Nderim përjetë Azem Hajdarit, nderim studentëve. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria’, tha ai.

Ora 19:06
Sheshi bosh në protestë, Berisha: Do kthejmë në piedestal idealet e larta të lëvizjes së Dhjetorit, lirinë e shqiptarëve! Koha nuk pret, jemi të vonuar

 

Në protestën para Kryeministrisë, ku iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, Sali Berisha foli edhe për Ditën e Rinisë dhe protestat studentore që rrëzuan regjimin komunist. Berisha tha se sot janë të rinjtë që janë në krye të betejës për liri. Berisha tha se janë mbledhur për të kthyer në piedestal idealet e larta të lëvizjes së Dhjetorit, lirinë e shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin e tyre dhe interesin kombëtar të shqiptarëve.

“Nderimin më të madh studentëve të dhjetorit ’90, të prirë nga tribuni legjendar i kombit, nga Azem Hajdari, ndanë epokat, përmbysën epokën e shtypjes më të egër, shpërfytyrimit të më madh të shqiptarëve dhe çelen dyert e përparimit dhe te ardhmes së shqiptarëve. Është shkruar dhe folur shumë për Gjeneratën Z, janë të rinjtë, që në fakt përmbysën diktatura në Nepal, Bangladesh dhe vende të tjera. Kjo gjeneratë është bërë zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlqyer e idealeve të kohës, e aspiratave të kohës. Është kjo gjeneratë në krye të betejës për liri të shoqërisë njerëzore. Po të kthehemi 35 vite më parë, studentët e universitetit të Tiranës ishte në kushte më të pakrahasueshme se studentët e asnjë vendi tjetër. Një grup i vogël studentësh dolën në protestë në vendin e tyre, në 1 të natës u pritën nga Presidenti i asaj kohe, i cili pas takimit u rezervoi kërbaçin e sigurimit. Të nesërmen ata mbushën sheshin dhe rrugët. Firmosën veten si të pamposhtur. Qëndruam dhe në një betejë tre ditore gjunjëzuan regjimin më të egër, më shtypës të kohës. Sot pas 35 vitesh ne nuk jemi më diktaturë moniste, studentët e dhjetorit nuk kishin forcë politike që tu dilet zot. Kurse sot, shqiptarët kanë një forcë politike, Partinë Demokratike, e themeluar nga studentët e dhjetorit, parti e cila është e dyta dhe e vetme në të gjithë hapësirën ish-komuniste që u mbijetoi përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar për të kthyer në piedestal idealet e larta të lëvizjes së Dhjetorit, lirinë e shqiptarë, votën e lirë, dinjitetin e tyre dhe interesin kombëtar të shqiptarëve. Çdo demokrat, opozitar, zgjedh të ngrihet në lartësinë e idealeve të dhjetorit, koha nuk pret, çdo ditë që shkon jemi të vonuar. Qytetarë dhe qytetare shqiptarë, ky shesh pret nga ne të mos e lëshojmë, ta zëmë njëherë e mirë, ta mbajmë gjer në fitore”, tha Berisha.

Ora 18:50
Deputeti Cara: Qeveria e Ramës ka sjellë shpopullimin e frikshëm, pasoja të një sistemi që nuk shpërblen të mirin

 

Deputeti demokrat i Durrësit, Igli Cara tha se 8 Dhjetori ‘Dita e Rinisë’, është një ditë reflektimi për rininë, të cilët sipas Carës, të detyruar nga jetesa në Shqipëri, të largohen në emigrim.

Cara thotë se liria është një dhuratë për të cilën duhet të luftohet, ndërsa shton se bashkimi është e vetja mënyrë për të larguar Ramën nga pushteti. Igli Cara përmend disa prej figurave të PS, të cilët janë nën hetim nga SPAK apo në baraburgim duke thënë se kjo është një qeveri e korruptuar.

“Është data që përjetësoi lëvizjen e studentëve, si një nga kulmet më të ndritura të ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare të dekadave të fundit.

Fati e desh të jem pjesë e asaj lëvizje dhe çdo përvjetor më kujton se ndryshimet e mëdha nuk lindin kurrë rastësisht. Lindin kur qytetarët e kuptojnë që liria nuk është një dhuratë, por një thesar për të cilin duhet luftuar.

Sot është ditë reflektimi që rinia të ketë një rol më të madh në jetën publike. A jemi sot të lirë ku tregu sundohet nga miqtë e Ramës? A jemi të lirë kur vota blihet, kur administrate kërcënohet, kur bandat bëjnë ligjin? A jemi të lirë kur korrupsioni ka arritur nivelet marramendëse e kur ministra, drejtorë e kryetarë bashkish janë dënuar apo janë në radhë për burg? A mund të flasim për liri kur nën hetim është dhe zv.kryeministrja që mbrohet nga Rama. Një rast unik në botë që vazhdon të jetë në detyrë.

Këto kanë sjellë shpopullimin e frikshëm. Fshatra e komuna që ekzistojnë në letër se nuk ka më njerëz. Emigrimi nuk ka pse të jetë fati i pashmangshëm i fëmijëve tanë. Është pasojë e një sistemi që nuk shpërblen më të mirin. Të gjithë janë të shqetësuar për ligjin e barazisë gjinore. Goditën qelizën më të rëndësishme të shoqërisë që është familja.

Liria na kërkon që të jemi të gjithë bashkë për të shporrur Ramën dhe këtë farë të keqe rilindase që është në pushtet. Ne do të fitojmë, e drejta do të fitojë”, tha ndër të tjera Cara.

Ora 18:37
Pas foltores në Durrës, Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti i bashkohen protestës së Sali Berishës (VIDEO)

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji edhe këtë të hënë ka marrë pjesë në protestën e Sali Berishës o organizuar përpara ndërtesës së kryeministrisë.

Ndërsa Berisha vijon protestat në kryeqytet, nga ana tjetër Salianji ka nisur takimet e private, siç i cilëson Berisha, me qytetarët në Durrës. Kjo është parë si një revoltë brenda PD ku në thelb në takimeve të Salianjit është reformim rrënjësor i partisë, e cila përveç se humbje, nuk ka korrur asnjë sukses tashmë prej vitesh.

Pavarësisht dhe deklaratave të Berishës, Salianji përsëri është parë në protestën e të hënës dhe pse në distancë nga besnikët e Berishës.

 

Ora 18:35
Militantët e Berishës ‘frymëzohen’ nga Dita e Rinisë: Do ta shporrim diktaturën e dytë (vetëm se janë një grusht)

 

Protestës së Sali Berishës edhe këtë javë iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, të cilët të ‘frymëzuar’ nga Dita e Rinisë premtojnë se do ta rrëzojnë diktaturën e dytë. Pedagogu Erges Eskiu tha se sot i japin besën njëri tjetrit se do ta largojnë Edi Ramën, por në ndryshim nga studentët e dhjetorit që ishin me mijëra që rrëzuan regjimin komunist, ata janë vetëm një grusht militantësh. 

“Sot në ditën e rinisë ti japim besën njëri-tjetrit, ta çojmë ëndrrën e tyre në vend, ta shporrim diktaturën e dytë. Kanë shpenzuar miliarda për të shkatërruar ëndrrën e studentëve të drejtorit për të shkatërruar PD-në dhe vinte ajo zonja na thonte do hani bar po ndoqët liderin tuaj. Dua t’iu bëj të besoni që kjo parti nuk shuhet kurrë, se kjo është partia e tyre që sakrifikuan, i bën ballë regjimit të Hoxhës. Kjo është partia e Hajdarit, partia e Berishës, e njerëzve të lirë që kurrë  nuk dorëzohen”, tha ai.

Ora 18:16
PAMJET ME DRON/ Boshatiset sheshi, Berisha protestë vetëm me një grusht militantësh në Ditën e Rinisë

Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e Sali Berishës para Kryeministrisë, së cilës në javën e katërt i janë bashkuar edhe më pak militantë se në protestat e tjera.

Në Ditën e Rinisë, Berishës në protestë iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, të cilët siç duken në pamje po tkurren dita-ditës, njëjtë si protestat e Belind Këlliçit. Sheshi para Kryeministrisë shihet i boshatisur.