TIRANE- Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të gjobiten nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave personale, pasi dy forcat më të mëdha politike kanë shkelur ligjin për privatësinë. Kryetarja e Komisionit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej, theksoi dje në Komisionin e Ligjeve se dy subjektet kryesore politike në vend kanë shkelur ligjin për privatësinë e qytetarëve në faqet e tyre online.

Gjatë raportimit të punës një vjeçare të institucionit që ajo drejton, Çabej theksoi se shkeljet janë konstatuar në faqet elektronike të PD-së dhe PS-së në skedarët ku bëhet ftesë për anëtarësinë si edhe në skedarin e veçantë të PD-së ku theksohet “Denonco largimet nga puna”. “Dy partitë kryesore politike kanë në faqet e tyre online qëllime përtej nevojës. Ne do të nisim inspektimet që t’i fusim në kuadrin ligjorë PD-në dhe PS-në. Në të kundërt, ata do të dënohen me masa administrative si gjoba”,- theksoi kryekomisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kjo deklaratë e saj solli një dozë humori në komision, ku deputetët e të dy kaheve politike, vijuan më pas duke e pyetur Çabejn lidhur me shkeljet që janë konstatuar në kompanitë telefonike. Sipas Çabejt, me ligjin e ri, është vendosur që të dhënat personale të personave që janë klient të kompanive celulare, duhet t’i shkatërrojnë ato brenda 7 ditëve por vitin e kaluar janë konstatuar një sërë ankesash që kishin të bënin me SMS elektorale.

“Vitin e kaluar ka pasur ankesa për SMS elektorale. Nga inspektimi rezultoi se këto SMS nuk ishin dërguar nga kompani shqiptare, por nga kompani të huaja ose faqe interneti jashtë vendit”,- tha Flora Çabej.

Shkrimi u publikua sot (23.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)