TIRANE - Partia Socialiste vijon të akuzojë qeverinë për ngutje sa i përket dhënies me koncesion së katër HEC-eve.

Sipas deputetit socialist, Eduard Shalsi fatura e shitjes së HEC-eve bie mbi konsumatorët shqiptarë, të cilët për të njëjtën sasi energjie që prodhojnë këto HEC-e, pas shitjes së tyre do të paguajnë katër herë më shumë.

Shalsi shtoi se pikërisht kostoja e lartë që bie mbi kurrizin e konsumatorëve shqiptarë është arsyeja se pse opozita është kundër shitjes HEC-eve.

DEKLARATA E DEPUTETIT EDUARD SHALSI
Prej disa ditësh i kemi kërkuar qeverisë shqiptare të pezullojë shitjen e 4 HEC-ve duke e konsideruar aktin e shitjes si një gabim të madh dhe një veprim që shkon kundër interesave të shqiptarëve. Deri më tani kemi argumentuar diferencat e çmimeve midis shitjes së Lanabregasit dhe 4 HEC-ve, kemi dëshmuar mbi ndryshimin e kriterit të investitorit strategjik me një Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që ligjin e ka miratuar parlamenti shqiptar, si dhe kemi depozituar një kallëzim penal në prokurorinë e rrethit Tiranë.

Sot do t’u shpjegojmë shqiptarëve dhe me shifra se përse nuk duhet të shiten/ privatizohen këto HEC-e.
Të 4 HEC-et kanë një fuqi prej 78 MW-ësh dhe prodhojnë mesatarisht rreth 400 milionë kwh në vit, që duke u shumëzuar me 2.2 (që është çmimi i vendosur nga ERE sipas tabelës bashkëlidhur të tarifave të shitjes së energjisë nga këto HEC-e) bëjnë 880 milionë lekë. Pra, për të plotësuar sot nevojat e konsumatorëve shqiptarë për rreth 400 milionë kwh që qeveria shqiptare shpenzon 880 milionë lekë ose 6.4 milionë euro.

Por çfarë ndodh pas shitjes? Pas shitjes së 4 HEC-eve qeveria shqiptare duke iu referuar po të njëjtës tabelë që përcakton tarifat e shitjes nga privati nesër, domethënë pas privatizimit, qeveria shqiptare do të duhet të shpenzojë 3.720 milionë lekë ose 27 milionë euro.
Pra, blerja e sasisë prej 400 milionë kwh që sot, para privatizimit i kushton shqiptarëve 6.4 milionë euro, nesër pas privatizimit do t’i kushtojë shqiptarëve 27 milionë euro.

Ndërkohë që blerësi i HEC-eve do të ketë mundësinë që brenda 4 viteve të ketë marrë mbrapsht sasinë e parave të shpenzuara për blerjen e HEC-eve, shqiptarët do të paguajnë 4 herë më shumë nga çfarë paguajnë tani, që do të thotë që shqiptarët do të kenë në buxhetin e tyre 4 herë më pak para për shkolla, kopshte, çerdhe apo dhe asistencë sociale.

Kjo është një llogaritje e thjeshtë për çdo shqiptar dhe cilindo që dëshiron të kuptojë se pse shitja e HEC-eve është e paleverdishme për shqiptarët dhe me pasoja ekonomike, por edhe sociale. Ndaj ne i rikërkojmë qeverisë që të pezullojë menjëherë shitjen e tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/eb/Shqiptarja.com)