PRIZREN, 10 gusht /ATSH/ - B.Jashari / Sot u mbajt konferenca e dytë në kuadër të edicionit të XIV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër "DokuFest", ku u prezantuan programi ditor dhe mysafirët.
"Kur më është kërkuar të kurojë një program për këtë edicion të Dokufestit, kam dashur që të tregoj një anë tjetër të kinemasë amerikane. Duke qenë se Amerika është vend ku shumica e popullit janë migrant, shumica e regjisorëve të këtyre filmave që do të shfaqen kanë migruar nga vendet e tjera, e kjo lidhet edhe me temën e këtij viti", tha Neil Young, kurator i programit special "Uncharted States of America", cituar në njoftimin e dërguar.
Në kuadër të DokuFest, sot në Prizren zhvillohet edhe debati i cili adreson rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konfikteve të viteve të 90 të shekullit të kaluar. "Zhvillimet e reja dhe shkëmbimet në art dhe kulturë në rajon janë indikatorët më të mirë të tij", theksojnë organizatorët.
/k.m//m.m/