Prizreni do të jetë qyteti që do të presë këtë vit Konferencën e X-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, një ngjarje e përvitshme që bashkon ekspertë, arkivistë dhe studiues nga të gjitha trevat shqiptare.

Konferenca organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe do të zhvillohet më 12 dhe 13 qershor.

Pas edicioneve të mëparshme në Prishtinë, Shkup, Sarandë, Tuz, Boletin, Manastir, Elbasan dhe Shën Mitër, Prizreni është ndalesa e radhës e kësaj konference periodike që synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arkivistikës.

Të gjithë profesionistët e fushës dhe studiuesit e interesuar mund të dërgojnë abstraktet e tyre në adresën botime.arkiva.gov.al deri më 5 prill. Pas shqyrtimit të abstrakteve në shqip ose anglisht, njoftimi për pranimin dhe pjesëmarrjen do të bëhet më 20 prill.

Në një traditë 10-vjeçare, DPA dhe ASHAK bashkëpunojnë për të ruajtur dhe promovuar dokumentacionin kombëtar, duke tejkaluar kufijtë shtetërorë. Ky bashkëpunim synon të mbajë gjallë kujtesën historike dhe kulturore të shqiptarëve, duke ofruar një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes institucioneve arkivore.

Tematikat e konferencës përfshijnë problematikat e arkivave, metodologjinë e studimit, dixhitalizimin, inovacionin dhe vizionin e punës së arkivave në realitetet e sotme. Ky vit shënon gjithashtu 75-vjetorin e themelimit të Arkivit të Kosovës, që do të jetë një bosht kryesor i konferencës.

Materialet e paraqitura nga kumtuesit do të publikohen në revistën shkencore “Arkivat Shqiptare”, botimi i vetëm periodik në fushën e arkivave në trojet shqiptare, që pasqyron 61 vite traditë botimesh ndërinstitucionale.