Qeveria ka miratuar një projektligj të ri për të lehtësuar aksesin në financë të fermerëve. Për herë të parë caktohet me ligj se për të marrë një kredi fermerët  mund të përdorin si kolateral në bankë prodhimin e magazinuar ose produktet që presin të korrin.    

***

Pas nismës “dyfisho ndërmarrjen tënde”, me kredi të buta, e me fokus edhe bujqësinë, qeveria po eksploron dritare të reja për t’i mundësuar mbështetje një prej sektorëve më pak të financuar nga bankat tregtare, pasi konsiderohet si sektor me rrezik dhe i pasiguruar përballë katastrofave natyrore.

Qeveria ka miratuar projektligjin për “Dëftesat Tregtare Mbi Produktet Bujqësore”, që i hap rrugën përdorimit si kolateral të të mbjellave dhe produkteve të magazinuara.

“Qëllimi i këtij ligji është të nxisë financimet në bujqësi, të mundësojë pagesa të shpejta dhe të drejta për fermerin, si dhe të krijojë një sistem kolaterali të produktit bujqësor të ardhshëm apo të magazinuar”, thuhet në nenin 2.

Thelbi i këtij projektligji është të rrisë financimet për sektorin bujqësor, duke bërë të mundur për herë të parë që fermerët të kenë të mundur të lënë si kolateral për marrje kredie produktin e magazinuar, ose të ardhshëm.

Përmes projektligjit iu jepet e drejta fermerëve të pajisen me dëftesa tregtare për produktin bujqësor të ardhshëm dhe atë të magazinuar, nëpërmjet të cilave u sigurohet financim paraprak. Aplikimin për t’u pajisur me dëftesën, fermeri do ta bëjë online në e-Albania.

“Fermeri, që kërkon të përfitojë financim nga një i tretë kundrejt lënies si kolateral të produktit bujqësor të ardhshëm që kultivohet prej tij, plotëson formularin e aplikimit për dëftesën tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Interesi i financimit të dhënë nuk mund të kalojë normën mesatare efektive mujore të interesit të kredive bankare të muajit paraardhës të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Për subjektet, që licencohen nga Banka e Shqipërisë, interesi i financimit rregullohet nga legjislacioni përkatës”, thuhet në pikën 1 të nenit 5.

Më tej qartësohet se fermeri është ai që mban përgjegjësi për cilësinë e produkteve të kultivuara, dhe në rastet kur nuk arrihet që të shlyhet detyrimi pasi ka mungesë produktesh të kultivuara, fermeri duhet ta zëvendësojë produktin bujqësor me një kolateral tjetër me të njëjtën vlerë të mbetur. Kur nuk plotësohet as ky kusht mbahen si kolateral të korrat e sezonit pasues.

Gjithashtu edhe dëftesa tregtare për produktin e magazinuar do të bëhet online, me të njëjtën procedurë, por këtu ka detyrime edhe për magazinuesin i cili nuk duhet të përziejë produktin e lënë kolateral me mallrat e tjera në magazinë. Kur fermeri nuk shlyen detyrimin, atëherë banka apo një subjekte tjetër që e ka financuar ka të drejtë të aktivizojë përmbaruesin.

“Kreditori i dëftesës tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar, të cilit nuk i është paguar shuma e siguruar me barrë siguruese brenda afatit, ka të drejtë të kërkojë nga zyra e përmbarimit, jo më herët se 2 (dy) ditë kalendarike nga mbarimi i afatit të maturimit, shitjen e produkteve bujqësore të lëna si barrë siguruese”, thuhet në pikën 1 të nenit 9.

Sipas projektligjit të hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dëftesa mund të lidhet nga të gjithë fermerët që kanë në pronësi apo në posedim një sipërfaqe toke bujqësore, në të cilën është duke kultivuar apo ka për qëllim të kultivojë produkte bujqësore.

Ky projektligj e ka kaluar procesin e Konsultimit Publik në vitin 2023, dhe synon që të shtojë që financimin në bujqësi, të rritë sipërfaqet e mbjella, të ndikojë në shtim të prodhimit etj.