Sipas analistëve ekonomikë, problemet financiare do të jenë kryefjala e tryezave që do të mbledhin bashkë krerët e Bashkimit Europian. Por jo vetëm Brukseli do të diskutojë për problemet financiare. Sipas tyre kriza nuk do të njohë kufij dhe do të përfshijë të gjithë globin. 

Pritet që tatëpjeta e çmimit të naftës do të thellohet edhe më shumë në vitin 2016. OPEC-u dhe vendet e Lindjes së Mesme vijojnë prodhimin e arit të zi me të njëjtat sasi, ndërkohë që në treg ka tepricë. Madje qeveria e Iranit ka vendosur si objektiv që të prodhojë 500 mijë fuçi nafte në vitin 2016, ndërkohë që një fuçi sot kap vlerën e 37 dollarëve, çmimi më i ulët i regjistruar në 11 vitet e fundit.

Një tjetër çështje që shqetëson ekspertët është Kina. Ata ngrenë pyetjen a do të ulet ritmi i rritjes ekonomike dhe nëse po, sa? Mendimet e analistëve ndryshojnë përsa i përket parashikimit të ekonomisë së dytë më të madhe në botë. 

Disa prej tyre thonë se Pekini ka gjithçka nën kontroll, ndërsa të tjerë mbrojnë idenë se vendi po vuan investimet e panumërta në fabrika joproduktive apo në pasuri të patundshme të çuara dëm. Është e vështire të kuptohet se ç’po ndodhë në Kinë shprehen analistët. 

Ndërsa përsa i përket ekonomisë së Bashkimit Europian, ajo mund të marrë një goditje të fortë nëse Britania e Madhe del nga Unioni. I njohur ndryshe me termin “Brexit”, rezultati i referendumit do të luajë një rol në të ardhmen e vetë Europës, në një kohë kur elita e Unionit, që përbën edhe udhëheqësit më të fortë të kontinentit si kancelarja gjermane Angela Merkel, e gjejnë veten gjithnjë e më tepër në një pozitë të pasigurt. 

Kjo do të ndikonte drejtpërdrejtë në tregjet e përbashkëta, pasi tregu i Europës do të ngushtohej. Gjithashtu, kriza e refugjatëve dhe shlyerja e borxhit të Greqisë pritet të marrin drejtim, i cili ende nuk ka dhënë premisa pozitive.

Redaksia Online
Shqiptarja.com