TIRANE - Marrëdhëniet politike mes dy vendeve duhen ndarë nga problematikat komerciale. Kështu ka deklaruar Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto në një takim që ka zhvilluar me ambasadoren ceke, Bronislava Tomasova.

Në njfotimin për mediat theksohet se Ministri Haxhinasto theksoi se duhen ndarë qartë marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve me problematikën e një natyre komerciale që shoqëria CEZ Shpërndarje ka në tregun e energjisë. Çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt – theksoi ai.

Sipas Haxhinastos motivimi për privatizimin e sektorit jetik të shpërndarjes së energjisë nga një kompani çeke ka qenë i bazuar në dëshirën për të pasur një performancë të lartë të standardeve evropiane në këtë sektor dhe jo për të krijuar një problem që ka ardhur nga keqmenaxhimi i kësaj kompanie. Problemi i shoqërisë CEZ Shpërndarje, tha ministri Haxhinasto, është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend.

Haxhinasto ka vlerësuar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE synon mes të tjerash edhe përsosjen e standardeve të tregut të lirë dhe kuadrit rregullator dhe jo përkeqësimin e tyre.

Ndërkaq në njoftimin për mediat të ministrisë së energjetikës, nuk ka asnjë rresht se çfarë ka deklaruar në këtë takim ambasadorja ceke.

Takimi vjen një ditë pasi Kryeministri i Çekisë, Petr Necas ka kërcënuar se largimin e kompanisë CEZ nga Shqipëria do e lidhë me integrimin e Shqipërisë në BE, duke dhënë kështu sinjale se vendi i tij do të bllokojë hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë.

“Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen e Shqipërisë ndaj një investitori çek në kontekstin e aspiratës së Shqipërisë për t’u integruar në BE”, -tha Necas.

Redaksia Online
(Gre.M/jd/Shqiptarja.com
)